Kolonel Veli Myftari, analiza 6 mujore e policisë – (27 Korrik 2000)



Kolonel Veli Myftari, analiza 6 mujore e policisë – (27 Korrik 2000)

21:32 27/07/2000

Lajme Arkiva – Tv Klan 2000

Rezultatet e gjashtë mujorit të parë të Ministrisë së Rendit Publik janë më të mirat në dhjetë vitet e fundit. Deklarata është bërë nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë kolonel Veli Myftari. Vetëm pak ditë pas analizës 6 mujore me kryepolicët e rretheve, Myftari ka bërë të njohur për gazetarët sot, rezultatet e punës. 88% e krimeve të ndodhura sipas tij janë zbuluar, ndërkohë që në krahasim me një vit më parë, kanë ndodhur 260 vepra kriminale më pak.

Kolonel Veli Myftari:- “Vlen të nënvizohet fort fakti, që gjatë kësaj periudhe nuk është regjistruar asnjë rast i vjedhjes së bankave apo arkave të kursimit. Si rezultat i punës së bërë nga strukturat e policisë është arritur që të sekuestrohen rreth 97 mijë paketa cigare dhe 21 mijë litra karburant kontrabandë”.

Sipas kolonel Myftarit një punë e mirë është bërë edhe nga antidroga që ka sekuestruar rreth 15 kilogram heroinë, 4 kilogram kokainë dhe ka asgjësuar 142 mijë rrënjë kanabis. Arritje sipas kryepolicit shqiptar, në këto gjashtë muaj ka dhe në punën e forcave speciale, në ndërhyrjen e shpejtë në ngjarje të ndryshme dhe policia kufitare që ka kapur qindra shtetas në tentativë ikje të paligjshme të kufirit. Lidhur me incidentin më të fundit në brigjet Pulieze, ku si pasojë e përplasjeve mes skafistëve shqiptarë dhe policisë italiane pati dhe viktima, Myftari tha:

Kolonel Veli Myftari:- “Më vjen keq për ngjarjen që ka ndodhur, ashtu siç nuk dëshirojmë të ketë asnjë ngjarje me të tilla viktima. Me homologët tanë ne kemi bashkëpunim të frytshëm dhe natyrisht do të rrisim edhe më tej angazhimin tonë për të goditur trafikun, i cili është i ndërtuar mbi gjak”./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj




Të ngjashme