4 raporte sekrete depozitohen në komisionin e posaçëm

Komisioni i Posaçëm për raportin e Dick Marty mbi akuzat ndaj UÇK, vendosi të thërrasë në seancë dëgjimore gjeneralët shqiptarë që kanë qenë në luftën e Kosovës, një pjesë e tyre që kanë dhënë dëshmi dhe në Hagë. Kjo kërkesë u bë nga deputeti Enver Roshi.

Deri më tani në dispozicion të Komisionit janë  dy raporte sekrete nga SHISH, një raport nga Ministria e Jashtme dhe një nga Prokuroria. Këto raporte përmbajnë informacione që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e institucioneve shqiptare me misionin e OKB-së në Kosovë, UMNIK dhe më pas EULEX.

Me argumentin se informacionet në dispozicion janë voluminoze dhe duhet kohë për leximin e tyre, komisioni vendosi të shtyjë mbledhjen e shqyrtimit.

Komisioni i Posaçëm u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë më datë 3 Dhjetor për të administruar dokumentacionin dhe të bëjë hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues për gjetjet dhe konkluzionet, që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri për çështjet e raportit të Dick Marty për krimet e luftës në Kosovë.

Klan News