Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Kryeprokurori Arben Rakipi ka hedhur poshtë, akuzat e mocionistëve të opozitës, për implikimin e tij në rrjetin e trafikut të drogës dhe shitjen e dosjes Hajdari, e cila ka mbërritur sot në gjykatë. Përpara komisionit të ligjeve dhe atij të mandateve, Rakipi tha, se nuk ka shitje të dosjes Hajdari dhe se ka pasur lidhje miqësore me Koçiun, por kjo nuk kishte të bënte me funksionin e tij në organet e drejtësisë. Pas shpjegimit të Rakipit është zhvilluar një debat i ashpër mes tij dhe deputetit të opozitës Spartak Ngjela.

Ngjela i ka kërkuar Rakipit të arrestojë prefektin e Tiranës Taulant Dedja, pasi me dëshminë e tij të rreme, ai është përfshirë në vrasjen e deputetit Hajdari. Ndërsa Rakipi, iu drejtua Ngjelës, se ju dhe ata që fshihen pas jush, kanë frikë nga zbardhja e çështjes Hajdari. Komisioni vendosi që ta mbyll debatin, pasi argumentet e Rakipit, ishin të mjaftueshme për të hedhur poshtë mocionin e deputetëve të opozitës për shkarkimin e kryeprokurorit./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego