Rajoni i Europës po njeh dyfish rritje të nxehtësisë krahasuar me normën mesatare globale. Sipas një raporti të OBSH, 3 vitet e fundit janë më të nxehtat të regjistruara për 53 shtetet e rajonit, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Prej vitit 2007, temperaturat kanë ardhur gjithnjë e në rritje në rajonin europian, duke ndikuar drejtpërsëdrejti në shëndetin e popullatës.

Raporti thekson se çdo vit në Europë regjistrohen 175 000 humbje jete si pasojë e nxehtësisë, nga 489 mijë që regjistrohen në nivel global, shifra këto që kanë ardhur në rritje ndër vite.

Gjatë 20 viteve të fundit, rajoni i Europës ka regjistruar një rritje prej 30% të vdekshmërisë nga nxehtësia, dhe kjo rritje progresive vihet re pothuajse në të gjitha vendet e Europës, përfshirë edhe vendin tonë.

Ekstremet e temperaturës përkeqësojnë sëmundjet kronike, duke përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, të frymëmarrjes dhe cerebro-vaskulare, shëndetin mendor dhe gjendjet e lidhura me diabetin. Vapa ekstreme është një problem veçanërisht për të moshuarit-thekson raporti i OBSH.

Për ketë arsye, ekspertët rekomandojnë shmangien e daljes dhe aktivitetet e vështira gjatë orëve të nxehta të ditës, si dhe sa më pak pije me sheqer, alkool ose kafeinë për shkak të efektit të tyre dehidratues në trup.

Tv Klan