Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Komisioni parlamentar i medias ka diskutuar projektligjin për aktin e lirisë së shtypit. Unanimisht deputetët kanë hedhur poshtë formulimin e nenit 11 në këtë draft, i cili bënte fjalë për reklamat shtetërore, si dhe kontrollin ndaj medias. Përfaqësues të pozitës dhe opozitës në këtë komision, propozuan ngritjen e një strukture për hetimin e burimeve të financimit, si dhe diferencim të biznesit mediatik nga ai i tenderave.

Nikollë Lesi: “Duhet një nen që të vendoset, pronarët, bashkëpronarët e mediave të shkruara detyrohen të mos marrin pjesë në tenderat me fondet publike, çka do të thotë që ai që ka ngritur një gazetë, një revistë, meqenëse jemi tek ligji për mediat e shkruara, do të kërkojmë edhe për mediat elektronike siç tha zoti Braçe, një amendim, pra jo çdo tregtar, jo çdo biznesmen që ka ekonomi informale, që në darkë gdhihet tek trau i doganës duke futur mallra kontrabandë dhe të nesërmen na gdhin botues dhe homolog me ne të tjerët”.

Vili Minarolli: “I ka thënë dhe kryeministri këto, që media bën pastrim parash dhe ne e dimë këtë gjë, atëherë pse si kontrollon shteti, por i përdor pastaj si aturë në dorën e njërit e tjetrit dhe kur i vjen momenti ia nxjerrë njërit kartën, ia nxjerrë tjetrit edhe e mposht shtypin, në qoftë se kuptohet kështu garancia e shtetit ndaj shtypit, atëherë kurrë mos u bëftë ky shtyp dhe ky shtet”.

Deputetët u shprehën për mos diferencim të mediave ndaj reklamave shtetërore. Për herë të parë ligji do të parashikojë vendosjen e një çmimi dysheme për shitjen e gazetave, për të mos lejuar më shitjen e tyre me çmim më të ulët se kostoja reale. Kjo kosto do të vlerësohet nga një grup pune pranë komisionit parlamentar./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj