Disfate e thelle e laburistëve, Corbyn lajmëron dorëheqjen

Konservatorët e Boris Xhonsonit korrën fitoren më të madhe që nga koha e Margaret Theçerit. Në zgjedhjet e parakohshme të së enjtes, ata konsoliduan pozitat si shumicë parlamentare, duke siguruar 364 deputetë.

Konservatorët kanë tashmë 38 deputetë mbi numrin e nevojshëm për formimin e qeverisë, çka u jep mundësinë për të miratuar marrëveshjen e re me Brukselin për shkëputjen nga Bashkimi Europian pa u kushtëzuar nga partitë e tjera parlamentare.

Disfatë e rëndë për opozitën dhe për laburistët në veçanti, të cilët do të kenë 59 deputetë më pak krahasuar me legjislaturën e kaluar. Bëhet fjalë për humbjen më të rëndë të tyre në 84 vite. Ndërsa partia e Brexitit e Nigel Farazhit nuk mori asnjë deputet.

Entuziast për fitoren, Boris Xhonson premtoi se nuk do t’i zhgënjejë votuesit, veçanërisht të rinjtë që u dyndën në radhë në qendrat e votimit në mbështetje të partisë së tij.

“Ne ia dolëm t’i japim fund bllokimit e barrierave. Ky është një moment i lavdishëm, një agim i ri, një ditë e re dhe një qeveri e re. I falenderoj të gjithë që u përfshinë për t’u dhënë konservatorëve fitoren më të madhe prej viteve ’80. I premtoj që nuk do t’i zhgënjej”.

I vënë përpara akuzave nga partia e tij për mënyrën e vizionin që çoi në disfatë të thellë, lideri i laburistëve Xheremi Korbin njoftoi se do të zyrtarizojë shumë shpejt dorëheqjen.

“ Unë nuk do t’a drejtoj partinë në fushatat e ardhshme zgjedhore. Duhet të nisim një proces reflektimi për këtë rezultat dhe për politikat që partia do të ndërmarrë për të ecur përpara”.

I pari që uroi Xhonsonin për fitoren ishte presidenti amerikan Donald Trump, i cili në Twitter shkroi që mezi priste përfundimin e procesit të BREXIT-it dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje tregtare me Britaninë e Madhe. Përgëzime edhe nga presidenti i Këshillit Europian Charles Michel si dhe nga kancelarja gjermane Angela Merkel.

Tv Klan