Në një ceremoni të veçantë, të zhvilluar në bazën ajrore të Farkës, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim nënshkruan kontratën e pranimit për pajisjen e Forcës Ajrore shqiptare me helikopterë “Black Hawk”.

Helikopterët, asistencë e qeverisë së SHBA pritet të mbërrijnë së shpejti në Shqipëri dhe për ministren Xhaçka, ky kontribut rrit kapacitetet e Forcave të Armatosura shqiptare.

“Jam e lumtur që sot, përmes këtij nënshkrimi i tregojmë qytetarëve tanë se nuk jemi vetëm. Se kemi miq. Se jemi miq. Që do të jemi krah njëri – tjetrit, sidomos në kohë të vështira. Helikopterët Black Hawk” që shumë shpejt do të jenë pjesë e Forcës tonë Ajrore, investimi kolosal në bazën e Kuçovës, sistemi i radarëve pas marrëveshjes me kompaninë amerikane Lockeed Martin, janë të gjithë tregues të ringritjes së Forcës Ajrore me hapa të sigurt dhe në krah të aleatit strategjik”, tha ministrja Xhaçka në fjalën e saj.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim u shpreh se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria janë dhe do të vijojnë të qëndrojnë “krah për krah”.

“Siç e dini, ky nuk është vetëm një dhurim i pajisjeve amerikane të mbrojtjes. Ky është një program i financuar bashkërisht, ku si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Shqipëria ndajnë përgjegjësinë financiare për të mbrojtur Aleancën. Shqipëria vazhdon të godasë përtej peshës së saj me kontributet e trupave në Aleancë. Ky është një shembull tjetër se si Shqipëria blen kapacitete dhe jo thjesht pajisje. Këta helikopterë Black Hawk dhe financimi i përbashkët i tyre tregojnë se, dita ditës, Shqipëria po bëhet një aleate edhe më e aftë e NATO-s dhe një bastion më i fortë i sigurisë në rajon dhe më gjerë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria qëndrojnë “krah për krah” sot, do të qëndrojmë “krah për krah” nesër dhe të gjitha të nesërmet që vijnë më pas”, tha Kim.

Projekti për pajisjen e Forcës Ajrore me helikopterë amerikanë të tipit “Black Hawk” mori rrugë një vit më parë gjatë vizitës që ministrja Xhaçka zhvilloi në Gardën Kombëtare e New Jersey.

Përgjatë një viti ka patur disa trajnime të pilotëve shqiptarë pranë kësaj garde dhe të specialistëve amerikanë pranë Forcës Ajrore për zhvillimin e kapaciteteve dhe aftësive për përdorimin e mjeteve të reja, që do të jetë pjesë e flotës ajrore shqiptare./tvklan.al