Hyn në fuqi vendimi për pezullimin e mjekëve të pavaksinuar  në Greqi

Certifikata dixhitale tashmë e detyrueshme në Itali ka bërë që të gjithë qytetarët të tregojnë dokumentet e tyre kur ata përdorin mjetet e transportit publik për distanca të gjata si autobusë, trena, tragete e avionë.

E ashtuquajtura Green Pass është një certifikatë dixhitale ose dokument që tregon nëse dikush ka marrë të paktën një dozë vaksine COVID-19, ka dalë negativ, ose është shëruar kohët e fundit nga virusi.

Qeveria e Mario Draghi miratoi pasaportën shëndetësore  në përpjekje për të përshpejtuar fushatën e vaksinimit përballë variantit Delta, por ajo ka shkaktuar zemërim tek disa qytetarë të cilët thonë se kjo shkel të drejtat e njeriut. Ata besojnë se kjo është një mënyrë indirekte për t’i bërë vaksinat të detyrueshme.

Ministria e Brendshme italiane deklaroi se do të ketë zero tolerancë  kundër paligjshmërisë. Uniformat blu kanë shtuar praninë e tyre në disa qytete kryesore. Pasi biletat dhe certifikatat në bord kontrollohen , në rast deklarimi të rremë të certifikatës dixhitale pasagjeri detyrohet të zbresë dhe do të paguajë një gjobë e cila varion nga 400 në 1000 euro.    

Ndërkohë edhe Greqia ka nisur zbatimin e ligjit për pushimin nga puna të të gjithë mjekëve dhe pjesëtarëve të tjerë të stafit mjekësor publik të cilët janë të pavaksinuar.

Nisur nga kjo e Mërkurë do të hyjë në fuqi ky vendim i cili pritet të shkaktojë kaos, pasi mediat greke përllogarisin rreth 10 mijë punonjës të shëndetësisë që nuk janë imunizuar ndaj Covid-19. Qeveria e Mitsotakis duket e vendosur në zbatimin e këtij vendimi. Megjithëse sindikatat e mjekëve dhe punonjësve të shëndetësisë kanë paralajmëruar një valë të re protestash kundër këtij vendimi.

Sakaq, të njëjtat masa kufizuese pritet të përballen rreth mesit të këtij muaji edhe mjekët në vende të tjera europiane si Itali dhe Francë.

Tv Klan