Kim Jong-un ka rënë dakord të mbyllë një nga testet kryesore të raketave të Koresë së Veriut dhe vendin e nisjes së raketave, thotë Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in.

Pas takimit në Penian, dy liderët “ranë dakord për një mënyrë për të realizuar denuklarizimin”, tha Moon. Marrëveshja u përshkrua nga Kim si një “hap përpara” drejt paqes ushtarake në gadishull.

Kim tha gjithashtu se shpreson të “vizitojë Seulin në të ardhmen e afërt”, duke u bërë udhëheqësi i parë i Koresë së Veriut që shkon në Korenë Jugore.

Fokusi kryesor i samitit ishte çështja e denuklarizimit. Ndonëse SHBA dhe Koreja e Veriut ranë dakord më parë këtë vit për të punuar drejt këtij qëllimi, negociatat kanë ngecur.

Tani, Peniani ka kërkuar të rikonfirmojë angazhimin e tij, shkruan BBC. Moon tha se Kim kishte “rënë dakord të mbyllë përgjithmonë testin e raketave në Tongchang dhe objektin e nisjes së raketave”.

Ai tha se Kim gjithashtu kishte rënë dakord të mbyllte uzinën bërthamore në Yongbyon, ku Koreja e Veriut mendohet se ka prodhuar materialin e përdorur në testet e tij bërthamore, por vetëm nëse SHBA ndërmerr hapa reciproke. Detajet në lidhje me këtë propozim nuk janë specifikuar./

tvklan.al