Koronavirusi prek edhe Italinë. Të prekur janë dy turistë kinezë, të cilët rezultuan pozitiv në testet mjekësore. Siç njoftoi kryeministri Giuseppe Conte, ata ishin akomoduar në një hotel në Romë ku shfaqën simptoma dhe më pas u dërguan në spital. Autoritetet italiane po kontrollojnë të gjithë personat që kanë pasur kontakte me ta.

“Në Itali, për të parën herë sot kemi 2 raste të konfirmuara të dy turistëve kinezë të ardhur në vendin tonë me koronavirus”.

Në konferencën për shtyp, ku i pranishëm ishte edhe Ministri i Shëndetësisë, Conte njoftoi marrjen e masave drastike për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të virusit, ndër të cilat ndalimi i të gjithë fluturimeve nga Kina. Ndërsa dy shtetasit e tjerë nga Kina të dyshuar me koronavirus që kishin ardhur me një anije turistike, rezultuan të painfektuar.

Edhe në Britaninë e Madhe janë konfirmuar dy rastet e para të të prekurve nga koronavirusi, duke e çuar në 23 numrin e vendeve me raste të infektuarish. Në Kinë, numri i të vdekurve ka arritur në 213, ndërsa ai i të prekurve ka tejkaluar 10 mijë. Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli të enjten emergjencën globale nga koronavirusi.

Megjithatë, disa ekspertë thonë se rrezikshmëria e virusit po ekzagjerohet. Sipas tyre nuk duhet përhapur panik pasi koronavirusi i përhapur nga Vuhani ka një nivel më të ulët vdekshmërie se SARS-i, i përhapur në fillim të viteve 2000 që i mori jetën më shumë se 700 personave. Ata thonë se shumë prej pacientëve shërohen krejtësisht, në dallim nga viruset e përhapura më parë.

Tv Klan