Gjykata e Shkodrës  ka lënë në burg  katër të arrestuarit që akuzohen se morën 1 mijë Euro në këmbim të një certifikate pronësie. Nën masën e sigurisë arrest me burg do të qëndrojnë Mirjam Bletaj, ish-jurist i Hipotekës, specialisti i Hipotekës Johan Zefi, Sokol Tirana dhe Ndoc Tara.

Sipas prokurorisë, përmes ryshfetit prej 1 mijë Euro,  Ndoc Taraj do përfitonte një certefikatë pronësie, ndërsa Sokol Tirana dhe Johan Zefi dyshohen si sekserët që do i jepnin paratë Mirjam Bletajt, ish-juristi i Hipotekës për përshpejtimin e procedures në marrjen e certefikates së pronësisë. Të  dyshuarit mohuan akuzat në sallën e gjyqit, por gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë duke i lënë në burg. Policia e Shkodrës në sajë të operacionit “Sekseri”, arrestoi në flagrancë Johan Zefin dhe Ndoc Tarajn duke shkëmbyer para në këmbim të një certifikate pronësie në ambientet e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në Shkodër.

Gjithashtu në pranga u vunë edhe Mirjam Bletaj dhe Sokol Tirana si të përfshirë në këtë çështje. Katër të ndaluarit akuzohen për korrupsion pasiv dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm te personat që ushtrojnë funksione publike. Ndërkohë vazhdojnë ende hetimet për dokumentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Tv Klan