Raporterja për Kosovën në KiE dhe ish-ministrja e Jashtme greke Dora Bakoyannis është optimiste se Ministrat e Jashtëm do të japin votën pro më 16 Maj.

“Jam e lumtur për votën dërrmuese që kolegët dhanë pro raportit serioz që unë paraqita për Kosovën. Kjo vendimmarrje dëshmon se tani është hapur rruga për Ministrat e Jashtëm që kishin kërkuar qëndrimin tonë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës është shumë pozitiv për të mos lënë pika të errëta në zemër të Evropës. Tashmë janë edhe 2 milionë njerëz të cilët do të kenë mbrojtjen e Këshillit të Evropës për të drejtat e tyre të njeriut, të drejtat e tyre fetare. Ata do të kenë mundësi që ta dërgojnë çështjen e tyre në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në rast se të drejtat e tyre nuk respektohen në Kosovë. Kjo lloj vendimmarrje është e një rëndësie të veçantë për minoritetin serb si dhe për të gjitha pakicat dhe të gjitha grupet etnike që jetojnë në Kosovë, të cilët tani duhet të ndjehen krenarë për vendimin tonë”.

Bakoyannis tha se e kuptontereagimin emocional të serbëve, por ajo do të kishte preferuar që ata të ishim më të qetë.

“Ka qenë një situatë e vështirë për mua duke pasur parasysh që jam greke, por që në fillim kam theksuar se ky raport nuk ka të bëjë me njohjen e Kosovës si shtet, por për të drejtat e njeriut. Kosova ka një rrugë të gjatë përpara. Ajo do të jetë nën monitorimin e Këshillit të Evropës që nga dita e parë e anëtarësimit. Ata kanë marrë angazhime. Shpresoj se do t’i qëndrojnë premtimeve të tyre. Ne do t’i ndjekim me kujdes dhe do të jemi shumë seriozë në vlerësimin e Kosovës në të ardhmen si pjesë e kësaj organizate. E kuptoj reagimin emocional të serbëve. Do të kisha preferuar që ata të ishim më të qetë, por mendoj se në të ardhmen të gjithë do ta kuptojnë se vetëm dialogu do të japë rezultate. Nuk mund të ketë zgjidhje nëse palët nuk vazhdojnë dialogun mes tyre për të mos e mbajtur konfliktin të ngrirë sepse kjo është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë”.

Bakoyannis u akuzua nga presidenti serb Vuçiç për qëndrim të njëanshëm pro Kosovës. Ai ka paralajmëruar mundësinë e largimit të Serbisë nga Këshilli i Evropës nëse edhe Ministrat e Jashtëm në muajin Maj japin votën pro Kosovës.

Klan News