Presidenti francez Emmanuel Macron priti në Paris presidentin serb Aleksandër Vuçiç ku në qendër të diskutimeve ishte edhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura.

Gjatë konferencës për media, Macron tha se çështja e Kosovës është një premtim dhe zotim për të ardhmen e rajonit dhe theksoi se është e rëndësishme që të gjithë pjesëmarrësit në sulmin në Banjskë të arrestohen.

“Është thelbësore që përgjegjësit për sulmin në Banjska që ndodhi vjeshtën e kaluar, të sillen para drejtësisë dhe të mbahen përgjegjës. Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të siguruar që një tragjedi e tillë të mos ndodhë më. Ne kemi nevojë për të kapërcyer tensionet e krijuara nga vendimet e marra së fundi nga Kosova në përputhje me zotimet e marra për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, por edhe me aspiratat e tyre për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.”

Presidenti serb Vuçiç shfrytëzoi takimin për të akuzuar Prishtinën se nuk po zbaton marrëveshjet dhe ngriti pretendimin për shtypje të serbëve në veri të Kosovës.

“Prishtina nuk respektoi asnjë nga pikat e marrëveshjes së Ohrit dhe Brukselit. Ata organizuan zgjedhje ku dolën vetëm 3.4% e votuesve. Prandaj jam dakord me dëshirën tuaj për riorganizimin e zgjedhjeve të reja. Nga ana tjetër shpronësuan veriun e Kosovës duke vendosur policët dhe ushtarët e tyre. Sot ende nuk kemi përgjigje se pse disa njerëzit qëlluan fëmijët tanë vetëm sepse mbanin një pemë tradicionale të Krishtlindjes. Sot flasim vetëm për incidentet në Banjska Kosovë, por askush nuk e trajton çështjen e mbijetesës së popullit serbë në veri të Kosovës.”

Nga ana tjetër Macron i bëri gjithashtu thirrje Prishtinës të respektojë zgjedhjet me legjitimitet të plotë demokratik, veçanërisht në komunat me shumicë serbe. Të dy presidentët diskutuan edhe për anëtarësimin e Serbisë në BE nën sfondin e luftën Rusi-Ukrainë për të cilën Macron tha se mbrojtja, siguria evropiane dhe marrëdhëniet dypalëshe në këto fusha si dhe procesin e normalizimit Kosovë – Serbi, është kushti kryesor për integrimin evropian.

Klan News