Më 4 Maj është dhe afati i fundit i dorëzimit të formularit i vetëdeklarimit të pasurisë për të gjithë personat që ushtrojnë funksione publike.

Ky detyrim ligjor është i vlefshëm për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, anëtarët e Këshillit të Ministrave që nuk kanë mandat deputeti, kryetarët e Bashkive dhe këshilltarët bashkiakë.

Por edhe pse data e përfundimit të afatit nuk është shumë larg, Komisioni Qendror i Zgjedhje, që është dhe institucioni në të cilin do të dorëzohen këtë formularë, bën me dije se aktualisht vetëm 255 funksionarë, ose 13,9 % i tyre, kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit, pranë këtij institucioni nga 1836 nga numri i përgjithshëm i tyre.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në vlerësim të faktit se afati përfundimtar është shumë pranë dhe numri i subjekteve, që ende nuk e kanë dorëzuar është i konsiderueshëm, ka bërë thirrje për ta dorëzuar sa më parë formularin, duke pasur në vemendje:

Formulari duhet të plotësohet me kompjuter, me përjashtim të emrit e mbiemrit dhe nënshkrimit (në fund të çdo faqeje) që duhet të plotësohen me shkrim dore;

Formulari, pasi të jetë plotësuar e printuar, nënshkruar, të depozitohet në KQZ personalisht (dorazi)nga secili funksionar që ka detyrimin për të dorëzuar formularin e vetëdeklarimit.

Formulari i vetëdeklarimit ndodhet në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së, cec.org.al dhe është i aksesueshëm për të gjithë./tvklan.al