Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u mor vendimi final për regjistrimin ose jo të Partisë Demokratike në zgjedhjet lokale të 14 Majit.

Pas diskutimeve, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi vendosi që Partia Demokratike nuk mund të regjistrohet në zgjedhje pasi kërkesa e paraqitur nga Indrit Sefa si përfaqësues ligjor i grupimit të Alibeaj nuk ka bazë ligjore.

Ai deklaroi se plotësimi i dokumentacionit me nënshkrimin e deklaratës solemne nga Lulzim Basha është një kusht për regjistrimin e partisë si subjekt zgjedhor.

Ka vetëm një person juridik me emrin Partia Demokratike dhe në këtë seancë po shqyrtojmë kërkesën e këtij subjekti.  Nga momenti që kërkuam dokumentacionin e plotësuar nga ana e PD me qëllim për të përmbushur të gjitha kushtet për regjistrim dhe meqënëse nuk ka asnjë dokument, jemi në të njëjtën situatë me seancën e shkuar. Meqë nuk kemi asnjë dokument shtesë, ne do japim shqyrtimin tonë për kërkesën e subjektit. Nuk marr fare në konsideratë konfrontimin tuaj të brendshëm, ka disa fakte të mbështetura në ligj dhe disa jo, qëndron pretendimi se Lulzim Basha është kryetar i PD, nuk ka qëndruar pretendimi i zotit Berisha, ndaj mbi faktin e pakontestueshëm pala që ka paraqitur kërkesën për regjistrim ka legjitimitetin e plotë.

Në pikëpamje formale, zoti Basha ose personat e autorizuar nga ky i fundit kanë të gjithë legjitimitetin për të paraqitur kërkesën. Por, ky autorizim sikurse kam vlerësuar më herët duhet të jetë i plotë. Dokumentacioni për regjistrimin e PD-së si subjekt zgjedhor i paraqitur nga ju ka një mangësi themelore, deklarata solemne duhet të jetë e nënshkruar nga vetë kryetari, por rezulton e nënshkruar nga zoti Alibeaj. Në bindjen time të bazuar në ligj, deklarata është një akt që duhet nënshkruar vetëm nga kryetari i partisë. Në vlerësimin tim, nuk lë vend për interpretim tjetër.

Formulimi i kësaj dispozite nuk lë vend për interpretime, paraqitja e këtij dokumenti është kusht për t’u regjistruar. Ju zoti Sefa keni pretenduar se Alibeaj ka të drejtë të nënshkruajë deklaratën solemne, por ky pretendim nuk ka bazë ligjore. Duhet të nënshkruhet vetëm nga kryetari i partisë. Ky angazhim është përgjegjësi personale e kryetarit dhe nuk është e transferueshme tek të tjerët, ai dokument është akt ekskluziv vetëm i kryetarit. Nuk ka një përcaktim ndryshe në rastin konkret. Vetëm një përmbajtje e tillë mesa përmenda do të bëjë të mundur regjistrimin. Që prej Marsit 2022 zoti Basha ka dhënë dorëheqjen prandaj nuk mund të nënshkruajë deklaratën solemne.

Vetëm zoti Basha mund të përmbushë detyrimet e kodit zgjedhor, por për shkak të dorëheqjes së tij nuk i merret dot nënshkrimi i deklaratës solemne. Deklarata mund të nënshkruhet dhe nga nënkryetari, por kjo ndodh vetëm në kushtet kur kryetari ka dhënë dorëheqjen, ka ndërruar jetë apo ka humbur interesin politik. Një parti politike mund të vëndosë që për një periudhë të caktuar të drejtohet nga një organ tjetër që zëvendëson kryetarin. Ka pasur një vit kohë për të depozituar aktet në Gjykatë, vetëm kështu nënkryetari zoti Alibeaj apo kushdo tjetër t’i kishte të gjitha kompetencat e kryetarit të PD, në kushtet që nuk keni njoftuar dorëheqjen e zotit Basha, atëherë ai si nënkryetar i PD ushtron disa kompetenca të kryetarit, por nuk ushtron dot të gjitha përgjegjësitë. Ndaj, unë vlerësoj që kërkesa e PD nuk ka bazë ligjore dhe nuk duhet të pranohet. Në përfundim, KQZ nuk regjistron PD në zgjedhje“, tha Celibashi.

Sefa: Vendimi i Celibashit, politik

Indrit Sefa foli për mediat pas vendimit të Celibashit. Sefa u shpreh se Celibashi duhej që t’i ndante dy kërkesat që kishin ardhur në emër të PD. Ai u shpreh se vendimet e Celibashit gjatë kësaj periudhe janë politike dhe nuk i shërbejnë procesit zgjedhor.

“Të gjitha veprimet e komisionerit që janë ndërmarrë gjatë kësaj periudhe janë vendime politike që nuk i shërbejnë procesit”, u shpreh Sefa.

Më shumë se 8 ditë tanimë mban pezull shqyrtimin e kërkesës së PD. Ka shtyrë afatatet qëllimisht. Atë e di komisioneri, kujt i shërben kjo. Komisioneri i la vetes dhe PD 48 orë afat për të plotësuar dokumentacionin. Iu bë e qartë që për këto të meta që ai pretendon nuk do të depozitohej dokumentacion i ri. Komisioneri që në atë moment kishte detyrim të mblidhte partinë politike dhe të jepte vendimmarrje”, u shpreh Sefa.

Sa i përket regjistrit të partive politike, Sefa tha se ende rezulton Basha kryetar pasi ligjërisht nuk depozitohet akti i dorëheqjes.

“Në regjistrin e partisë politike rezulton i regjistruar zoti Lulzim Basha sepse ligjërisht nuk depozitohet akti i dorëheqjes, depozitohet vetëm akti i zgjedhjes së kryetarit të ri. Basha ka dhënë dorëheqjeen dhe çdo akt i firmosur prej tij nuk është akt që ka efekt ligjor… Ia kemi komi komunikuar komisionerit. Basha ka dhënë dorëheqjen”, tha Sefa.

Grupimi Alibeaj paralajmëroi ankim ndaj vendimit të KQZ-së në KAS.

KQZ nuk regjistron PD në zgjedhje, Alibeaj: Vendim i ndikuar politikisht, do vijojmë rrugën ligjore

Enkelejd Alibeaj

Pas vendimit të KQZ për mosregjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet lokale të 14 Majit, ka reaguar Enkeled Alibeaj.

Përmes një postimi në Facebook, ai shkruan se ky vendim është i ndikuar nga aktorë politikë të cilët janë të interesuar që PD të mos regjistrohet në zgjedhje.

Alibeaj thotë se pavarësisht këtij vendimi, do të vijohet me ndjekjen e rrugës ligjore për të finalizuar përfaqësimin e PD-së në zgjedhjet lokale.

“Vendimi i paralajmëruar i Komisionerit të Zgjedhjeve është qartas i ndikuar politikisht nga aktorët politikë të interesuar që PD të mos regjistrohet në procesin e zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sikundër e deklaroi dhe publikisht, zoti Celibashi e ka të pamundur të ndajë opinionet dhe tifozerinë personale nga faktet juridike. Për pasojë, vendimi i tij e zgjat pa fund dhe pa arsye të qenësishme regjistrimin e PD. Dukshëm, e madje deri në kufijtë e groteskut, komisioneri nisur vetëm për shërbim politik ndaj kundërshtarëve të PD, vendos ta përjashtojë nga zgjedhjet. Siç ndodhte këtu e 32 vjet më parë, kur ishte partia në pushtet ajo që lejonte ne zgjedhje vetëm satelitët e saj. Kjo marrëzi politike, si 32 vjet më parë, i ndodh sot Shqipërisë kur është vend i NATO-s dhe synon të jetë anëtar i BE-së!

Megjithëkëtë e si përherë do të vijojmë rrugën ligjore për të finalizuar përfaqësimin e PD në 14 maj. Çdo artificë ligjore apo arsye e stisur politike dhe aspak ligjore është thjesht rruga e dëshpëruar që zgjatime të politikës së vjetër në institucione kushtetuese të pavarura kanë zgjedhur për të na penguar në rrugën tonë. Nuk do ia dalin!!”, shkruan Alibeaj.

Celibashi: Vendimmarrja tërësisht në përputhje me Kodin Zgjedhor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi në mbledhjen e kësaj të marte që Partia Demokratike nuk mund të regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit, pasi kërkesa nuk ka bazë ligjore. Kryekomisioni Ilirjan Celibashi deklaroi se plotësimi i dokumentacionit me nënshkrimin e deklaratës solemne nga Lulzim Basha është një kusht për regjistrimin e partisë si subjekt zgjedhor.

Pas vendimmarrjes, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, Celibashi tha se vendimi është në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor. Përgjigjen e dha pasi u pyet për reagimin e Enkeljed Alibeajt, i cili e konsideroi vendimin e KQZ, si të ndikuar politikisht.

Nuk do të parapëlqejë që të komentoja deklaratat e politikanëve. Ajo çfarë mbetet e rëndësishme në gjithë këtë diskutim, është fakti që ajo vendimmarrje është në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor. E bën të duket sikur ka një gjë të madhe fakti që është partia më e madhe opozitare. Kam gjithë keqardhjen për këtë situatë, por nuk kam asnjë mundësi për ta zgjidhur nga pikëpamja ligjore”, tha Celibashi.

Celibashi: Nuk donin që ta zgjidhnin çështjen, isha i gatshëm t’u jepja dhe më shumë kohë

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, pati një konferencë me gazetarët pas vendimit që dha për mos pranimin e kërkesës së grupimit “Alibeaj” për regjistrimin e PD në zgjedhjet e 14 Majit.

Celibashi u shpreh se nuk ka asgjë personale me Partinë Demokratike. Ai theksoi se do duhej që në gjykatë të pasqyrohej dorëheqja e Lulzim Bashës dhe të pranohej akti ku Enkelejd Alibeaj është caktuar të përfaqësojë ligjërisht PD-në në cilësinë e kryetarit.

Kjo është arsyeja pse Celibashi tha se u dha 48 orë, madje shtoi se ishte i gatshëm që t’u jepte edhe më shumë kohë. Komisioneri theksoi se angazhimi i tij personal ishte që situata të merrte një zgjidhje, por “këtë çështje nuk kanë dashur ta zgjidhin”.

-Në 2003 u sulmuat nga PD, po sot, prapë nga PD… Në rast se keni një ndjesi personale…

Ilirjan Celibashi: Nuk kam asgjë personale me PD, për më tepër që në raportin personal kam vërtetë shumë miq dhe shokë nga PD si dhe nga partitë e tjera. Doja ta thoja këtë në vijim të pyetjes që kam patur të gjithë angazhimin që kjo çështje të zgjidhej, por nuk kanë dashur që ta zgjidhin. Se për çfarë arsyesh, është çështje e tyre. Është e vërtetë që për zotin Basha, edhe pse duket sikur ajo thirrje i është drejtuar zotit Basha, në fakt për zotin Basha, sikurse e thashë në arsyetimin e vendimit, nuk ka asnjë lloj obligimi ligjor për të paraqitur formalisht deklaratën e dorëheqjes. Është i natyrshëm çdo qëndrim i tij pas dorëheqjes. Për këdo tjetër të interesuar, do duhej që këtë fakt ta pasqyronin në gjykatë. Do duhej ta pasqyronin në gjykatë. Vetëm kështu dhe këtë e them me bindje do të fitonin legjitimitetin të tjerë organe të PD-së për t’u sjellë si kryetari i PD-së. Për këtë arsye iu dhashë 48 orë kohë. Isha i gatshëm t’u jepja edhe më shumë kohë për të bërë këtë. Nuk e donin, tani nuk e kuptoj kush është kokëforti në këtë mes.

-Në rast Enkelejd Alibeaj, ose Lulzim Basha, pra përfaqësuesit e PD do të kishin dorëzuar brenda këtyre 48 orëve një kërkesë në gjykatë, për ta njohur me dorëheqjen e Lulzim Bashës dhe autorizimin e 3 personave dhe delegimin e kompetencave të Lulzim Bashës në gjykatë, tek këto 3 persona. Do të ishte pranuar sot regjistrimi i PD?

Ilirjan Celibashi: Nëse do të ishte bërë kjo procedurë dhe me siguri gjykata, jam i bindur për këtë, në këtë rrethanë ligjore do të kishte bërë pranimin e kërkesës për t’u depozituar akti sipas të cilit zoti Enkelejd Alibeaj është caktuar që të përfaqësojë ligjërisht PD-në në cilësinë  e kryetarit, duke qenë nënkryetar. Nëse 48 orë nuk mjaftonin kam qenë i gatshëm t’i jap edhe më shumë kohë, por nuk e kanë preferuar që ta kenë këtë kështu që nuk është çështje e vendimit tim.

Celibashi: PD nuk e ka humbur afatin për t’u regjistruar në zgjedhje

KQZ vendosi këtë të martë të mos regjistrojë në zgjedhjet e 14 Majit, Partinë Demokratike pas kërkesës që mbante firmën e Indrit Sefës. Por vetë kryekomisioneri Ilirjan Celibashi thotë se PD si parti politike nuk e ka humbur afatin, si për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor, ashtu edhe nëse do të marrë pjesë në një koalicion. Kjo pasi, siç shpjegon, kryekomisioneri kërkesa për t’u regjistruar në zgjedhje është bërë brenda afateve.

Pyetje: Sa i takon koalicioneve, nëse ditën e nesërme do të depozitohet në KQZ një koalicion i cili do të ketë një emër të përafërt me PD ose me logon e saj, nisur nga fakti që kemi një grupim në PD që të paktën i ka bërë disa ndryshime logos së PD, a do ta pranojë KQZ?

Ilirjan Celibashi: Këtë nuk mund ta them tani, me lejo që të marrësh përgjigje në momentin që do të kemi një situatë të diskutueshme që lidhet me regjistrimin e një koalicioni. Po me këtë rast duhet të bëj edhe një sqarim tjetër, që mundet publikisht të jetë me dobi. Partia Demokratike si parti politike nuk e ka humbur afatin, si për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor, ashtu edhe nëse do të marrë pjesë në një koalicion. Sepse çdo kërkesë për regjistrim për subjekt zgjedhor e partive politike, që është paraqitur para datës 7 konsiderohet që është paraqitur në afat. Të themi qëllon, nëse mund të përdor këtë term, që për një parti politike, procesi i regjistrimit është duke marrë kohë sepse ka vendimmarrje të ndryshme nga institucione të ndryshme, mund të ketë, të themi. Por në finale, nëse do të rezultojë që ka legjitimitetin dhe do të rezultonte që do kishte legjitimitetin për t’u regjistruar, do të regjistrohej, sepse është paraqitur kërkesa.

Çfarë ndodhi këtë të Martë në mbledhjen e KQZ-së

Foto nga mbledhja e sotme në KQZ

Mbledhja e sotme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nisi në orën 16:00 dhe përfundoi në orën 17:20. Pasi dy palët paraqitën sërish argumentet e tyre për regjistrimin e Partisë Demokratike si subjekt zgjedhor në 14 Maj, kryekomisioneri deklaroi se kjo forcë politike nuk mund të regjistrohet në zgjedhje, pasi kërkesa nuk ka bazë ligjore.

Grupimi i Alibeajt, pati afat 2 ditë për të dorëzuar dokumentacionin e plotësuar pasi Lulzim Basha, i cili figuron kryetar partie nuk ka firmosur deklaratën solemne se nuk do të kryejë krime zgjedhore. Ky dokument sipas Celibashit, ishte kusht për regjistrimin e PD-së, ndërsa përfaqësuesi ligjor i grupimit të Alibeaj deklaroi sërish se PD nuk ka asnjë akt shtesë. Sefa akuzoi Celibashin se po zvarrit këtë proces duke i shkaktuar dëme PD-së, dhe se dy kërkesat duheshin shqyrtuar në mënyrë të veçantë. Nga ana tjetër edhe përfaqësuesi ligjor i Berishës tha se PD është ajo që ka ushtruar aktivitetin e saj prej 32 vitesh.

Pjesë nga diskutimi në mbledhje

Ilirjan Celibashi: Në seancën e shkuar vendosëm që t’i japim kërkuesit 48 orë kohë për të plotësuar dokumentacionin që në vlerësimin tonë nuk ishte i plotë. Jemi këtu edhe pasi KAS rrëzoi kërkesën e ankuesve për këtë vendim të marrë nga kryekomisioneri.

Indrit Sefa: Së pari, kam një kërkesë procedurale. Duam projekt-vendimet për PD-në ashtu siç e keni për partitë e tjera.

Ilirjan Celibashi: Në radhë të parë jeni duke bërë kërkesë pa legjitimitet, është një projekt vendim, një copë letër pa vlerë.

Indrit Sefa: Të njëjtën copë letre duam dhe për PD-në, para se të diskutohet në seancë publike dërgohet projekt-vendimi që palët të njihen.

Ilirjan Celibashi: Zoti Sefa ai është një projekt vendim për rastin e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, KQZ ka bërë një propozim, për PD nuk ka. Komisioneri jep vendimin pas paraqitjes së projekt-vendimin nga administrata, në rastin tuaj nuk ka një të tillë.

Indrit Sefa: Ju, ju kanë ardhur dy kërkesa të ndryshme, mesa u njohëm me vendimin jeni referuar në mënyrë të gabuar, unë jam përfaqësues i PD-së dhe jo i Lulzim Bashës dhe kërkues është Partia Demokratike, kërkoj të rregullohet në mënyrë imediate. Dy kërkesa të ndryshme, duhet të kenë vendime të veçanta, jo me vendim të përbashkët. Kërkoj që kërkesat të merren në shqyrtimin tuaj në mënyrë të veçantë. Dhe e dyta, kërkoj që të disponojmë në dosje dhe shkresat, protokollin tuaj të dorëzuar nga PD dhe shkresat që janë depozituar sot. Kërkoj të bëhen pjesë e dosjes dhe të merren në shqyrtim. Këto janë kërkesa procedurale.

Ilirjan Celibashi: Çdo dokumentacion i paraqitur këtu do të jetë pjesë e dosjes. Lidhur me kërkesën tjetër, ne shqyrtojmë kërkesën e PD për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor, jeni ju që po thoni ka dy kërkesa, një kërkesë ka. Unë një po shqyrtoj.

Indrit Sefa: Në këtë vendim tuajin janë dy kërkues, por kërkues është vetëm një dhe është Partia Demokratike e Shqipërisë.

Ilirjan Celibashi: Legjitimiteti i atij që e bën këtë kërkesë është çështje e shqyrtimit, e thashë qartë ka vetëm një kërkesë.

Indrit Sefa: Kam disa pyetje për ju, çfarë masash ka marrë komisionari për të bërë kallëzim penal ndaj kryetarëve të partive, strukturat vendimmarrëse të tyre janë dënuar me vendim për shit blerje votash?

Ilirjan Celibashi: Pika s’ka të bëjë fare me objektin e shqyrtimit, Kjo çështje vlerësohet rast pas rasti, është në të drejtën tuaj ta përdorni si argument në pretendimet që do të mbani.

Indrit Sefa: Ju e keni deklaruar si një impenjim personal, ndërkohë vendimi i komisionit rregullator të KQZ e shpreh qartë se partia nuk do të marrë pjesë në aktivitete për shit-blerje vote. Gjithsesi ky është opinioni kundër që kemi me njëri-tjetrin, por jemi të bindur që është një detyrim që vjen si pasojë e funksionit dhe si i tillë ai mund të delegojë. Interpretimi juaj nuk lidhet me zbatueshmërinë e ligjit, zgjatja e afateve ka sjellë një dëm të madh për PD sepse jemi në limite, afati i fundit është data 15 dhe vendimmarrja siç kuptohet është e njëjtë me atë që keni shprehur.

Indrit Sefa: Edhe në shkresën që kemi përcjellë pranë jush, e kemi bërë të qartë që zoti Basha rezulton i regjistruar në Regjistrin e Partive Politike, pasi nuk depozitohet dorëheqja, vetëm akti administrativ i emërimit të kryetarit të ri. Është e pamundur që të bëhet regjistrimi i zgjedhjes së kryetarit të ri. Ligji është i qartë, nuk regjistrohet as zëvendës kryetari, por vetëm kryetari i ri.

Ilirjan Celibashi: Opinioni im është arsyetimi mbi vendimmarrjen time pastaj keni gjithë të drejtën ligjore ta kundërshtoni. Vendimi im bazohet në shqyrtim të kërkesës tuaj për regjistrimin e PD si subjekt zgjedhor.

Indrit Sefa: Provat e paraqitura nga PD janë të plotë dhe në zbatim të ligjit, i janë bashkëlidhur kërkesës si dhe dy shkresa të protokolluara që referojnë në mënyrë të qartë që PD nuk do sjellë ato prova që kërkoni ju.

Ilirjan Celibashi: Pra, ju thoni që dokumentacioni është i plotë, dhe ndaj duhet të regjistrohet si subjekt zgjedhor.

Përfaqësuesi ligjor i Berishës, Nuraj: Si përfaqësues i PD në këtë seancë, të mos hamë kohë. Dua të them lidhur me kërkesën e paraqitur që me kryetar Sali Berishën, sipas kërkesave të kodit zgjedhor do të kërkonim regjistrimin e PD si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e 14 Majit 2023. Në gjykimin tonë nuk ishte e drejtë ajo vendimmarrje. Ne kemi depozituar të gjitha vendimet dhe proceset ligjore për zgjedhjen e kryetarit, si dhe vendimin e Shkallës së Parë. Aktualisht në Regjistrin e Partive Politike ndryshimet janë të pareflektuara që nga 2018.

Indrit Sefa: Ju lutem më përcaktoni pak numrin dhe datën e kërkesës që po shqyrtohet…

Ilirjan Celibashi: E kemi bërë kërkesën dhe nuk e di pse po bëni autogol.

Indrit Sefa: Autogolin më lëni ta bëj në portën time, unë dua numrin dhe datën e depozitimit të kërkesës në KQZ.

Ilirjan Celibashi: Kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor, ne vlerësojmë legjitimitetin e palës dhe në përfundim vendosim regjistrimin ose mosregjistrimin e partisë politike…

Indrit Sefa: E kam bërë kërkesën më 6 Mars, çdo individ tjetër të shqyrtohet në mënyrë të veçantë sepse me këtë logjikë unë vij më kërkesë për Partinë Socialiste dhe e mbaj peng gjithë jetën. Dua numrin dhe datën e kërkesës që po shqyrtohet në këtë moment.

Ilirjan Celibashi: Unë po shqyrtoj dy kërkesa të PD-së, tani do e marrim vesh cila është Partia Demokratike.

Indrit Sefa: Merrni vendim vetëm për Partinë Demokratike me kërkesë të depozituar nga unë, çdo kërkesë tjetër të shqyrtohet në mënyrë të veçantë.

Ilirjan Celibashi: Ajo që ju po kërkoni është komplet pa sens ligjor, ka një person juridik PD dhe se kush e ka të drejtë për ta paraqitur kërkesën unë do ta vlerësoj. Do i shqyrtoj bashkë.

Indrit Sefa: Për çdo kërkesë ju duhet të keni një vendim. Ndani kërkimet, po e bëni me qëllim që të mos regjistrohet PD. Dua vendimmarrje për kërkesën e paraqitur nga PD.

Ilirjan Celibashi: Kush është PD, kush e përfaqëson? Si duhet ta bëj këtë? Duhet ta bëj nëpërmjet një procesi?

Indrit Sefa: Nuk mundet komisionari, kushdo që vjen këtu të futet me një vendim sepse hap një lojë me ankime administrative që nuk mbaron kurrë.

Ilirjan Celibashi: Unë e bëra këtë sqarim. Do ketë vetëm një kërkues, PD dhe ai që ka legjitimitetin formal ta paraqesë kërkesën. Mua s’më duhet fare se çfarë vendos një organ tjetër, KAS ka shqyrtuar dy kërkesa sepse kishte dy ankime. Unë kam një kërkesë.

Nuraj: Ka vetëm një PD, ajo që operon prej 32 vitesh.

Ilirjan Celibashi: Ka vetëm një person juridik me emrin Partia Demokratike dhe në këtë seancë po shqyrtojmë kërkesën e këtij subjekti.  Nga momenti që kërkuam dokumentacionin e plotësuar nga ana e PD me qëllim për të përmbushur të gjitha kushtet për regjistrim dhe meqënëse nuk ka asnjë dokument, jemi në të njëjtën situatë me seancën e shkuar. Meqë nuk kemi asnjë dokument shtesë, ne do japim shqyrtimin tonë për kërkesën e subjektit. Nuk marr fare në konsideratë konfrontimin tuaj të brendshëm, ka disa fakte të mbështetura në ligj dhe disa jo, qëndron pretendimi se Lulzim Basha është kryetar i PD, nuk ka qëndruar pretendimi i zotit Berisha, ndaj mbi faktin e pakontestueshëm pala që ka paraqitur kërkesën për regjistrim ka legjitimitetin e plotë.

Në pikëpamje formale, zoti Basha ose personat e autorizuar nga ky i fundit kanë të gjithë legjitimitetin për të paraqitur kërkesën. Por, ky autorizim sikurse kam vlerësuar më herët duhet të jetë i plotë. Dokumentacioni për regjistrimin e PD-së si subjekt zgjedhor i paraqitur nga ju ka një mangësi themelore, deklarata solemne duhet të jetë e nënshkruar nga vetë kryetari, por rezulton e nënshkruar nga zoti Alibeaj. Në bindjen time të bazuar në ligj, deklarata është një akt që duhet nënshkruar vetëm nga kryetari i partisë. Në vlerësimin tim, nuk lë vend për interpretim tjetër.

Formulimi i kësaj dispozite nuk lë vend për interpretime, paraqitja e këtij dokumenti është kusht për t’u regjistruar. Ju zoti Sefa keni pretenduar se Alibeaj ka të drejtë të nënshkruajë deklaratën solemne, por ky pretendim nuk ka bazë ligjore. Duhet të nënshkruhet vetëm nga kryetari i partisë. Ky angazhim është përgjegjësi personale e kryetarit dhe nuk është e transferueshme tek të tjerët, ai dokument është akt ekskluziv vetëm i kryetarit. Nuk ka një përcaktim ndryshe në rastin konkret. Vetëm një përmbajtje e tillë mesa përmenda do të bëjë të mundur regjistrimin. Që prej Marsit 2022 zoti Basha ka dhënë dorëheqjen prandaj nuk mund të nënshkruajë deklaratën solemne.

Vetëm zoti Basha mund të përmbushë detyrimet e kodit zgjedhor, por për shkak të dorëheqjes së tij nuk i merret dot nënshkrimi i deklaratës solemne. Deklarata mund të nënshkruhet dhe nga nënkryetari, por kjo ndodh vetëm në kushtet kur kryetari ka dhënë dorëheqjen, ka ndërruar jetë apo ka humbur interesin politik. Një parti politike mund të vëndosë që për një periudhë të caktuar të drejtohet nga një organ tjetër që zëvendëson kryetarin. Ka pasur një vit kohë për të depozituar aktet në Gjykatë, vetëm kështu nënkryetari zoti Alibeaj apo kushdo tjetër t’i kishte të gjitha kompetencat e kryetarit të PD, në kushtet që nuk keni njoftuar dorëheqjen e zotit Basha, atëherë ai si nënkryetar i PD ushtron disa kompetenca të kryetarit, por nuk ushtron dot të gjitha përgjegjësitë. Ndaj, unë vlerësoj që kërkesa e PD nuk ka bazë ligjore dhe nuk duhet të pranohet. Në përfundim, KQZ nuk regjistron PD në zgjedhje./tvklan.al