Procesi i numërimit të kandidatëve ka përfunduar dhe tashmë janë ravijëzuar edhe emrat e deputetëve që do të ulen në Parlament në fillim të muajit Shtator, me nisjen e sesionit të ri.

Beteja elektorale e 25 Prillit prodhoi 74 mandate për socialistët, por ajo që surprizoi ishte renditja në majë të listët së kandidatëve e kryetarit të grupit parlamentar Taulant Balla, i cili arriti të marrë 21,604, duke lënë pas edhe kryetarin e partisë Edi Rama, që mori 15,871 vota.

Një tjetër suprizë në kampin e majtë ishte edhe ngjitja në renditje e disa kandidatëve që u listuan përtej vijës fituese, por që nga vota individuale arritën të nxjerrin jashtë gare edhe kandidatë në vende të sigurta në listë.

Qarku i Tiranës ishte shëmbëlltyra më e qartë për socialistët, ku Fatmir Xhafaj, i renditur i 23, mori  më shumë se 16 mijë vota personale.

Jo pak nuk suprizoi edhe një tjetër kandidat i të majtës në këtë qark, Ornaldo Rakipi, i 30 i cili mori 15.200 vota individuale, duke thyer në këtë mënyrë herësin që la jashtë listave kryetarin e Partisë Scialistë për Tiranën Ervin Bushati.

Por cili është ekipi me të cilin Edi Rama do të bëjë betejën politike gjatë këtij mandati të tretë qeverisës në Parlamentin e ardhshëm?

Në grupin e ardhshëm parlamentar janë rikonfirmuar të gjithë ministrat aktualë të qeverisë, duke nisur nga ministri i Rindërtimit Ahmetaj, ajo e Infrastrukturës Belinda Balluku, e Financave Anila Denaj, e Arsimit Evis Kushi, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, minisrti Klosi dhe ai Çuçi, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ministrja e Drejtësisë, ajo e Jashtme Olta Xhaçka, ministrja e Kulturës, ajo e Bujqësisë Milva Ikonomi, ajo për Parlamentin Spiropali, si dhe zv/Kryeministri Erjon Braçe. I vetmi që qëndroi jashtë kësaj liste është ministri për Diasporën, Pandeli Majko.

Demokratët në këto zgjedhje siguruan 59 mandate, por ende Lulzim Basha nuk është shprehur, nëse do ta njohë apo jo rezultatin e dalë nga kutitë e votimit të së dielës. Nëse ky rezultat do të njihet nga selia blu, në Parlamentin e ri do të jetë e rikonfirmuar lista e Lulzim Bashës. Surpriza e vetme në kampin blu ishte Luçiano Boçi, i cili theu herësin duke marrë 10,930 vota, ç’ka la jashtë listës kryetarin e Partisë Demokratike të Elbasanit, Eugen Isaji.

Vetë Lulzim Basha arriti të marrë numrin më të madh të votave personale në kampin blu, 16,186, i ndjekur nga Agron Shehaj me 13.780, Belind Këlliçi me 11.577, Luçiano Boçi, Ervin Salianji. Në krah tij Lulzim Basha do të ketë sërisht ish-Kryeministrin Berisha që në këto zgjedhje mori 6,744 vota.

Pjesë e Parlamentit të ri do të jenë edhe katër deputetët të Lëvizjes Socialiste për Integrim, një parti që pësoi një disfatë në këto zgjedhje dhe tre deputetë të PSD-së së Tom Doshit.

Tv Klan