“Edhe për rastin e financimit të linje prodhimi, e cila do të bashkëfinancohej nga një biznes i huaj, bankat nuk e miratuan, janë bërë shumë të ngurta me sektorin privat”,

shprehet Alban Zusi, nga Shoqata e Industrisë Ushqimore.

Bizneset thonë se prej vitesh po vuajnë një situatë të vështirë për të marrë financim nga bankat. Aksesi në kreditim është një komponent i rëndësishëm i të bërit biznesi dhe renditet në çdo indeks botëror. Në Shqipëri, kreditimi i sektorit privat është zyrtarisht në rënie prej 5 vitesh.

Ngushtimi i huasë për biznesin është rritur vit pas viti, duke arritur në vlerën më të lartë të tkurrjes në fund të 2018-s, me -2.9%. Ekspertët pranojnë se shtrëngimi i dhënies së kredisë për biznesin është në stanjacion, duke dhënë disa faktorë:

“Kursi i këmbimit ka zhvlerësuar kredinë totale (efekt matematikor), rënia e konsumit dhe risku i dikurshëm i kredive të këqija.”

Bizneset kërkojnë që të merren masa për të ndryshuar raportin që bankat kanë me ta. Alban Zusi sugjeron që të vihet në përdorim fondi i dhënë nga BERZH dhe qeveria ku garantohet risku për sektorin bujqësor.

Në vrojtimin e fundit të aktivitetit kreditues, të realizuar nga Banka e Shqipërisë kushtet për dhënien e kredisë ishin shtrënguar për biznesin e madh, ndërsa kishte një rënie të kërkesës nga sipërmarrësit e mesëm e të vegjël. Bankat kanë zgjedhur gjatë këtyre viteve që pjesë të kredisë ta japin për bizneset jashtë Shqipërisë, ndërsa sektorë si bujqësia dhe transporti e komunikacioni vazhdojnë të vuajnë mungesë të theksuar në financim.

Tv Klan