“OSBE-ODIHR konfirmoi se 25 prilli s’kishte lidhje me demokracinë”

Prezantimit të qeverisë së re nga Kryeministri Rama, kreu i opozitës Lulzim Basha i është përgjigjur me publikimin e raportit të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit.

Basha thotë se Rama mund të recitojë për të gënjyer veten, por nuk gënjen dot shqiptarët për masakrën zgjedhore.

Sipas Bashës, që 25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë e konfirmon edhe OSBE-ODIHR duke renditur një sërë akuzash si blerje masive votash, presion ndaj votuesve, shkrirjen në një të partisë me pushtetin, shpërdorimit të aseteve publike, rritje të punësimit fiktiv në administratë, presione mbi administratën, etj.

Për të gjitha këto shkelje, Basha thotë se PD ka depozituar qindra padi penale në SPAK dhe në prokuroritë e rretheve për krime zgjedhore.

“Përballë fakteve të patjetërsueshme, drejtësia nuk mund të qëndrojë duarkryq teksa ata që e çuan korrupsionin në nivelin e kapjes së shtetit, vijojnë lojën e vjetër me bedelë të rinj, në dëm të çdo familjeje shqiptare”, shkruan Basha.

Tv Klan