Krimet e Rënda vendosin “arrest shtëpie” për Tahirin


Krimet e Rënda vendosin “arrest shtëpie” për Tahirin

18:44 12/05/2018

“Arrest shtëpie” ka dhënë Gjykata e Krimeve të Rënda për ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Vendimi u mor këtë të shtunë nga gjyqtarja Liljana Baku, ndonëse Prokuroria kërkoi të premten burg pa afat për ish-zyrtarin e lartë. Akuza ndaj Tahirit është ajo e ngritur në Tetor të vitit të kaluar për trafik të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë.

Në vendim përveçse specifikohen akuzat urdhërohet shtetasi nën hetim Saimir Bashkim Tahiri të mos largohet nga banesa e tij, ndodhur në Tiranë, Rruga “Kodra e Diellit”, Pallati Nr.3.

Arresti i shtëpisë iu komunikua më herët gjatës ditës Tahirit, i cili u pa në shoqërinë e avokatit të tij mbrojtës. Jashtë ambienteve të banesës nuk pati efektive të forcave të rendit pasi, në urdhrin e saj gjykata nuk përcakton mbikëqyrje policore për ish-ministrin.

Lëvizja e Prokurorisë për Krimet e Rënda vjen pas mbërritjes së përgjigjeve të letër-porosive të dërguara në Itali dhe Greqi. Në këto materiale mësohet se ka prova të reja mbi aktivitetin e klanit Habilaj dhe rolin që ish-ministri ka patur në mbështetjen e këtij grupi.

Përgjigje kanë sjellë edhe autoritet greke, ku Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi verifikimin e disa lëvizjeve që Tahiri ka kryer atje. Në këtë vend sipas prokurorisë dyshohet se Saimir Tahiri është takuar me Artan Habilajn, ku ka udhëtuar edhe me Audin me targa AA 003 GB, të cilin ua kishte shitur kushërinjve të tij.

Prova të reja të cilat prokuroria i ka dorëzuar në gjykatë janë edhe disa dëshmi të marra dy javët e fundit nga banorë të fshatit Gjorm të Vlorës, një nga zonat ku Habilajt kanë patur aktivitetin e tyre kriminal. Në pyetje u morën edhe dy nga njerëzit më të afërt të Saimir Tahirit, shoferi Gentian Ceka dhe truproja Elvis Rexha.

Vendimi për të mbajtur në arrest shtëpie ish-Ministrin e Brendshëm vjen vetëm pak ditë pasi Tahiri la mandatin e deputetit, por edhe pas shkarkimit të Besim Hajdarmatajt nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Në Tetor të vitit të kaluar Këshilli i Mandateve refuzoi kërkesën e grupit të prokurorisë të drejtuar nga Besim Hajdarmataj, që kërkonte autorizimin për prangosjen e ish-Ministrit të Brendshëm.

Pas kontrolleve në shtëpinë Tahirit dhe gjetjes së dy patentave të lundrimit ne makinën e Orestes Sotës, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi në 12 Dhjetor të vitit të kaluar bllokimin e pasaportës së ish-ministrit, por kjo masë u rrëzua në 27 Dhjetor nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda.

Tv Klan




Të ngjashme