Kryebashkiaku i Devollit merr detyrën

Kryebashkiaku i Devollit merr detyrën

19:40 26/07/2019

PD kyçi derën, kryetari i ri i Bashkisë futet forcërisht në zyrë

Megjithë bastin e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, se kryebashkiakët e djathtë do të qëndronin në detyrë edhe pas asaj që ndodhi në 30 Qershor, këtë të premte Kryebashkiaku i ri socialist i Devollit ka hyrë në zyrë.

Ky është një punonjës i Shërbimeve Publike në Bashkinë e Devollit, i cili po thyen bravën e institucionit. Pasi u hap forcërisht dera kryetari i ri i Bashkisë, Eduart Duro, arriti të hyjë brenda ndërtesës i shoqëruar nga prefekti Dhori Spirollari.

Ndërsa forcat e policisë ishin të pranishme aty, por në distancë për çdo situatë të mundshme. Duro deklaroi për mediat se të gjithë ata punonjës që protestuan para Bashkisë do të vazhdojnë punën normalisht.

Me të përfunduar orari zyrtar i punës, ish-Kryetari i Bashkisë, Bledion Nallbati ishte larguar nga ndërtesa e institucionit, nën duartrokitjet e mbështetësve që qëndruan aty për 6 orë.

Gjatë paradites, kryetari i ri i Bashkisë Devoll, Eduard Duro, e kreu ceremoninë e betimit në ambientet e prefekturës, pasi mbështetësit e PD e LSI nuk lejuan mbajtjen në ambientet e Bashkisë të mbledhjes së konstituimit të Këshillit të ri Bashkiak. Në mbledhje asistuan deputetët socialistë Taulant Balla dhe Niko Peleshi.

Bashkia e Devollit është e para Bashki në vend, që konstituoi Këshillin Bashkiak të dalë nga 30 Qershori. Këtë të premte ka marrë konfirmimin nga Gjykata e Shkodrës edhe Valdrin Pjeri si kryebashkiak i ri.

Edhe gjykata të tjera të vendit po japin konfirmimet për kryebashkiakët e rinj ndërsa Kolegji Zgjedhor ka njohur shpërndarjen e anëtarëve të rinj të këshillave bashkiake.

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
Delta

UKT