Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pas reagimit të shoqërisë civile, medias dhe një pjesë të politikës, reagon dhe pushteti lokal, për ngritjen e impiantit të plehrave në Kashar. Kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama, i ka dërguar një letër kryeministrit shqiptar, ku i kërkon që të merret dhe mendimi i autoriteteve të pushtetit lokal, përpara se të miratohet ndërtimi i impiantit nga firma italiane.

Edi Rama: “Në fakt i kam dërguar një letër organit shtetëror të autorizuar, pra të përbërë nga tre ministrat që janë marrë me këtë projekt për të cilin në mënyrë anomalike jemi njohur nga shtypi dhe për dijeni Këshillit të Ministrave, duke i kërkuar thjeshtë dhe vetëm që ky projekt t’i nënshtrohet qëmtimit të organeve të qeverisjes vendore si kundër e kërkon ligji. Besoj që është jo vetëm normale, por edhe e domosdoshme për këtë proces, i cili është një proces, ku përfshihen shumë palë të interesuara dhe ku natyrisht konsulta midis të gjitha palëve do të nxirrte rezultatin e dëshiruar për të gjithë”.

Ndërkaq dhe kryetari i bashkisë së Durrësit i ka kërkuar kryeministrit ndërmjet një letre që të merret dhe mendimi i autoriteteve lokale, pasi plehrat që do të vijnë nga Italia do të transportohen nga porti i Durrësit.

Ndërtimin e një impianti të tillë e ka kundërshtuar dhe Instituti Co-plan që merret me zhvillimin e abitatit. Sipas Besnik Aliaj, drejtorit të këtij instituti nuk mund të ngrihet një impiant i tillë ka afër një qendre të banuar siç është kryeqyteti.

Besnik Aliaj: “Ne nuk kemi ende normat dhe standardet tona, ne nuk njohim standardet europiane për të ruajtur distancat dhe parametrat e nevojshëm për mënyrën se si do të vendosen këto impiante në lidhje me qendrat e banuara. Në rastin e Tiranës është problem, sepse Tirana përveç humbjes që ka të hapësirës së gjelbër brenda qytetit, po cenon dalëngadalë nëpërmjet zhvillimeve informale që ka në periferi, nëpërmjet zhvillimeve industriale gjatë korridorit Durrës-Tiranë, po konsumon dhe atë që dikur quhej kurora e gjelbër e Tiranës”./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka