E kthyer në një traditë, Bashkia e Tiranës shtroi sot për ditën e shenjtë të Fiter Bajramit, një drekë festive në të gjitha qendrat e saj sociale, për dhjetëra familje në nevojë, të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuar. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga deputetja e PS, Blerina Gjylameti, zgjodhi që ta uronte këtë festë, duke shërbyer drekën në mensën sociale në Kombinat. Kryebashkiaku uroi të pranishmit për festën dhe theksoi se ky ishte edhe një muaj reflektimi dhe distancimi nga çdo e keqe.

“Nuk ka qenë vetëm një muaj për t’i qëndruar larg ushqimit, as për të mbajtur dietë, por për të mbajtur distancë nga çdo ves, paudhësi, mendim i keq, nga çdo thashethem, sharje apo shpifje, nga çdo gjë e ligë që lind me njeriun. Një nga gjërat që inkurajojmë shumë në Tiranë është se, qoftë Ramazan, Pashkë apo Krishtlindje, këto janë çaste reflektimi, që siç jetojmë me shenjtëri dhe me përkushtim pak më të madh në këto muaj të veçantë, të jetojmë edhe në 11 muajt e tjerë, të jetojmë gjithë ditët e javët e tjera”, tha Veliaj.

Ndonëse ditë pushimi, të gjitha institucionet e kujdesit social të Bashkisë së Tiranës kanë qenë pranë atyre më në nevojë. “Në këtë qytet, patjetër që ka shumë probleme, por ka edhe shumë dashuri, ka edhe shumë mirësi, shumë solidaritet. Bashkia e Tiranës nuk b ën dallim nëse është ditë e diel, ditë pushimi apo ditë feste. Dua shumë që këtë frymë që kemi injektuar në Tiranë këto 4 vjet, ta ruajmë. Eja bëjmë një përpjekje se si mund të ndihmojmë  dhe kontribuojmë”, tha ai, teksa bëri një apel edhe për më të rinjtë që të tregojnë një vëmendje të shtuar ndaj prindërve dhe më të moshuarve. “Apeli im është për të gjithë fëmijët, edhe nëse janë jashtë, t’i bëjnë një telefonatë prindërve, jo vetëm ditën e Bajramit, por çdo ditë. Mos i harroni prindërit, mos i braktisni as për Bajram, as për Vit të Ri, as për Krishtlindje, as për Pashkë”, tha ai.

Kryebashkiaku iu drejtua me një mesazh edhe klasës politike, për të lënë sherret dhe dialoguar e punuar bashkë për të ardhmen. “Dalin të gjithë këta të politikës së vjetër dhe thonë: Vëllazëri fetare, të ketë harmoni mes feve! Po ne harmoni mes feve kemi pasur 500 vjet, s’kemi pasur ndonjë sherr. Ne sherrin na e sjell politika. Se të thuash te dera e xhamisë ose e kishës: Duam harmoni, të jetojmë bashkë të krishterë e myslimanë, dhe pastaj sa mbaron fjalën, kalon rrugën, nga KMSH shkon tek Parlamenti dhe fillon me gurë e molotov, kjo  është hipokrizi. O do besojmë atë themi dhe do jetojmë atë që besojmë, ose pastaj një pjesë e politikanëve janë hipokritë”, deklaroi Veliaj.

Ai foli për rëndësinë q ë kanë çështjet që shqetësojnë realisht qytetarët, ndërsa siguroi se në katër vitet e ardhshme do të punohet edhe më shumë. “Politikanë që s’pranojnë shtatë herë kërkesën për t’u ulur në dialog?! Hajde mor vëlla, ta zgjidhim çfarë halli ke dhe të shkojmë të votojmë si njerëz! Ndoshta fiton dikush tjetër që është më i mirë se unë dhe skuadra jonë. Çështja është që shumica e njerëzve ka hallet e veta, nuk ka hallet e politikës; kjo është arsyeja pse duhet të fokusohemi gjithmonë se ajo se çfarë do bëjmë sot dhe nesër për njerëzit, dhe jo se çfarë do bëjnë politikanët për veten e tyre. Paçi vetëm të mira, mezi pres që në 4 vitet e ardhshme të bëjmë edhe më shumë”, theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Deputetja e PS, Blerina Gjylameti vlerësoi se Tirana në këto katër vite ka treguar se është një qytet solidar. “Sikundër është bërë traditë, jo vetëm për Bajram, por edhe për Pashkë, për festa, kemi qenë gjithmonë me njëri-tjetrin, ta vazhdojmë këtë traditë, se është një nga traditat më të bukura! Sa më shumë jemi tek pjesa e ndjenjave humane, aq më shumë mund të mësojmë më të vegjlit, që të jenë edhe nesër njerëz më të mirë, qytetarë më të mirë. Kemi treguar në këto katër vite se Tiran ën e kemi solidare, familjare dhe humane”, u shpreh ndër të tjera deputetja Gjylameti.

Në këto katër vite një vëmendje të veçantë Bashkia e Tiranës e drejtuar nga Veliaj i ka kushtuar edhe kujdesit social. Nëse deri katër vite më parë në kryeqytet nuk kishte asnjë qendër sociale, aktualisht në të gjithë kryeqytetin janë ngritur shtatë të tilla që ofrojnë jo vetëm një vakt të ngrohtë, por edhe kujdes të specializuar./tvklan.al