Kufijtë e BE-së nuk hapen për Ballkanin



Kufijtë e BE-së nuk hapen për Ballkanin

09:55 27/06/2020

Hyrja në BE, vetëm për malazezët dhe serbët

Kufijtë e BE-së do të vijojnë të jenë të mbyllur për Shqipërinë dhe disa vende të Ballkanit Perëndimor si Kosova, Maqedonia e Veriut e Bosnje Hercegovina. Udhëtimet drejt zonës Schengen do të hapen vetëm për shtetasit nga Mali i Zi dhe Serbia.

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian nuk kanë rënë dakord për të përfshirë në listën e vendeve me të cilat hapen kufijtë e jashtëm të unionit pas 1 Korrikut, periudhë kur skadonte afati i vendosur në prill në nisje të pandemisë së COVID-19. Në listën e paraqitur gjatë mbledhjes së diplomatëve të vendeve anëtare mbrëmjen e të premtes përfshihen vetëm 15 shtete jashtë hapësirës Schengen.

Dy javë më parë Komisioni Europian rekomandoi hapjen e kufijve me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor prej 1 Korrikut. Vendimi u mor në bazë të shifrave të ulëta të infektimit në atë kohë që paraqisnin Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e Bosnje Hercegovina. Megjithatë infektimet në këto vende janë tashmë shumë herë më të larta edhe se në nisje të pandemisë.

Vendimi për hapjen ose jo të kufijve do të merret në bazë të ecurisë së këtyre shifrave. Vende si Gjermania e kanë shtyrë deri më 31 Gusht paralajmërimin për qytetarët e tyre, që të mos udhëtojnë drejt vendeve jashtë hapësirës Schengen nga rreziku i infektimit me COVID-19, çka tregon edhe tendencën për të mos pranuar hyrjen e shtetasve nga këto vende.

BE nuk do të hapë kufijtë as për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si masë reciprociteti, por vetëm për Kinën.

Tv Klan




Të ngjashme