“Kujt i thotë ajo koshient?” Gjuhëtari kritikon politikanen, Mirela Milori: Na dërrmove…



“Kujt i thotë ajo koshient?” Gjuhëtari kritikon politikanen, Mirela Milori: Na dërrmove…

14:30 01/04/2021

Në emisionin “Historia ime” në Tv Klan, është folur për një temë që na përket të gjithëve. Gjuha e një kombi është pasuri dhe trashëgimi që duhet ruajtur me dinjitet brez pas brezi. Për fat të keq, gjuha shqipe po degradon çdo ditë, sidomos tek të rinjtë dhe veçanërisht me komunikimet online.

Duke nisur që nga shkëmbimet e mesazheve mes njerëzve, deri tek shqipja e shkruar, një degradim që përfshin shqipen nga niveli urban deri tek niveli akademik. Të ftuar në studio kanë qenë Leonard Bonduri, autor i autokorrektorit të parë të gjuhës shqipe dhe Zefina Hasani, autore programesh dhe gazetare. Ndërsa në një lidhje me Viber ka qenë gjuhëtari Xhevat Lloshi i cili quan disa njerëz injorantë që nuk e kuptojnë anglishten, madje ka shumë lolo të fshatit që dalin në publik dhe ky është një rrezik i madh për gjuhën shqipe.

Xhevat Lloshi: Unë po ju sjell një shembull shumë të thjeshtë. Ju e dini që shpërndahen çmime të formave të ndryshme. Disa njerëz të cilët mund t’i quaj injorantë të anglishtes sepse nuk e kuptojnë anglishten thonë që çmimi i shkon një këngëtari apo artisti. Nuk thuhet në shqip kjo, në shqip thuhet “i jepet”, çmimet jepen dhe ndahen, këta njerëz janë me mendje të kufizuar sepse nëse themi “çmimi i shkon”  atëherë si do i themi “u ndanë çmimet”? Prandaj është e nevojshme të kufizojmë këtë padituri të thellë. Këta njerëz që kujtojnë se dinë anglisht, këta njerëz në të vërtetë nuk e kuptojnë anglishten.

Do t’ju jap një shembull tjetër Uberto Eco shkrimtar i famshëm italian ka thënë që televizioni iu dha mundësinë edhe lolove të fshatit të dalin në publik, tani ky është një rrezik i madh për gjuhën shqipe që ne duhet të bëhemi të ndërgjegjshëm. Moda luan një luan rol shumë të rëndësishëm në jetën shoqërore dhe në gjuhën, por moda është kalimtare, është një dukuri e cila pikërisht se përhapet shumë shpejt dhe shumë thellë, ndryshon shumë shpejt dhe shumë thellë.

Këto dukuri janë të zakonshme, prandaj duhet të më kuptoni idenë time themelore, nga njëra anë do të ketë përpjekje për të cenuar gjuhën, do të ketë përpjekje për njerëz të paditur që befas këta lolot e fshatit hyjnë në komunikimin publik dhe tregojnë paditurinë e tyre. Ka një përgjegjësi të madhe duke filluar nga ne gjuhëtarët, pastaj duke shkuar tek të gjithë dashamirësit e gjuhës shqipe dhe deri tek mësuesit në shkollë.

Por edhe gazetarët dhe punonjësit e shtypit, unë mendoj që nuk kanë shumë kujdes për gjuhën, është e mira të fillojnë të mendojnë se kujt i drejtohen. Pardje dëgjova një politikane që përdori fjalën koshient, kjo fjalë ka më shumë se 100 vjet që zëvendëson gjuhën shqipe, kujt i flet ajo me atë fjalë, fshatarëve dhe njerëzve të tjerë. Në gjuhën shqipe është fjalë vetëdije, thuhet i vetëdijshëm, i pavetëdijshëm.

Mirela Milori: Profesor na dërmove, na ngele në klasë të tërëve.

Xhevat Lloshi: Nuk pajtohem me ju sepse nga ana tjetër ka një pjesë të gjërë të shoqërisë sonë e cila kujdeset për gjuhën, shkruan mirë. Shikoni se sa shumë romane dhe poezi ka në Shqipëri dhe janë me gjuhë të mirë, prandaj mos e zmadhoni të keqen, por përpiquni ta zvogëloni atë. /tvklan.al







Të ngjashme