Korçarët eliminuan Teutën, Shkodranët larguan Laçin

Skënderbeu – Vllaznia do të jetë finalja e Kupës së Shqipërisë për këtë sezon. Korçarët ishin surpriza, pasi eliminuan Teutën që kryeson kampionatin. Skuadra e Migen Memellit fitoi me rezultatin 2 – 0 në sfidën e luajtur të mërkurën në Durrës.

Golat u shënuan në fillimin dhe fundin e pjesës së parë, njëri prej tyre me penallti nga kapiteni Meksi, ndërsa tjetri me kundërsulm nga Berisha. Ky i fundit festoi duke hequr fanellën, por mori të verdhin e dytë duke u përjashtuar nga loja.

Skënderbeu u shtrëngua të zhvillonte të gjithë pjesën e dytë me 10 futbollistë. Vllaznia siguroi finalen duke fituar me rezultatin 1 – 0 përballjen me Laçin në Shkodër. Hoxhaj shënoi të vetmin gol të takimit në mesin e pjesës së parë.

Kjo përballje u mbyll me nervozizëm, ku Obanor i Laçit goditi Markun e Vllaznisë. Gjysmëfinalet u zhvilluan me vetëm 1 ndeshje. Kupa e Shqipërisë është një mënyrë për të shkuar në Europë. Finalja do të luhet më 30 maj. Skënderbeu e ka fituar vetëm një herë në 2018, ndërsa Vllaznia për herë të fundit në 2008.

Tv Klan