Kush është personi që radikalizon gratë në Al-Hol



Kush është personi që radikalizon gratë në Al-Hol

22:20 27/10/2020

Julian Kasapi është gazetari i parë nga Shqipëria që rreth një vit më parë u fut në kampin famëkeq të Al-Holit në Siri. Ai u takua nga afër me shqiptarët që qëndrojnë në këtë kamp. Në studion e “Opinion”, duke komentuar operacionin e autoriteteve shqiptare për kthimin e Floresha Rashës, 3 fëmijëve të saj, si dhe të 13-vjeçarit Endri Dumani, Kasapi tregoi më shumë për motrën e këtij të fundit, Eva Dumani. Ajo nuk u gjet kur autoritetet u futën në kamp dhe mbetet e paqartë nëse është ende në Al-Hol. Eva kishte kërkuar me ngul që të kthehej në Shqipëri.

Për të kuptuar disi më shumë sesi është situata në këtë kamp, të cilësuar edhe si kampi i ferrit, gazetari Kapasi tha se njerëzit që qëndrojnë atje janë të frikësuar kur shohin ushtarë. Sipas gazetarit në këtë vend ka një person të veçantë që ka një rol vendimtar për radikalizimin e grave.

“Kur është futur struktura shtetërore në kamp, familjet shqiptare, të cilat janë 5, ishin fshehur. Ishin fshehur nga forcat kurde. Duhet të kuptoni që sa herë ata shihnin ushtarë ndiheshin të frikësuar dhe sigurish dezinformimi brenda kampit ka luajtur rolin e tij, të mos flasim më pas për radikalizimin. Ka një person të veçantë aty që zoti Nano e di fare mirë se kush është, që luan një rol radikalizues sa i përket nënave dhe grave të tjera. Por nga ana tjetër aty ka edhe 6 jetimë. Nuk është vetëm një, nuk është vetëm Eva Dumani. Aty është Elona Shuli, e cila është më e madhja, 17-vjeçe. Eva Dumani është 15 vjeç, pra aty ka dhe 6 jetimë të tjerë. Në momentin që struktura Antiterrorit është futur brenda në kamp, këto familje ishin fshehur. Jo për shkak të shqiptarëve”./tvklan.al





Të ngjashme