Një person i armatosur hapi zjarr drejt zyrave të një gazete në Maryland të SHBA-së. Nga ngjarja mbetën të vrarë pesë persona dhe u plagosën disa të tjerë, ndërsa policia thotë se ishte një sulm i planifikuar.

Stafi i “Capital Gazette” në Annapolis thanë se sulmuesi ishte armatosur me një shotgan dhe disa granata tymi. Ai qëlloi nëpërmjet një dere xhami drejt e në redaksi.

Sipas mediave amerikane autori i ngjarjes dyshohet se është Jarrod Ramos. Ai në 2012-n ka paditur gazetën për shpifje.

Zyrtari i policisë, Steve Schuh, tha se i dyshuar ishte fshehur poshtë një tavoline në ndërtesë, kur u kap. Ai tha gjithashtu për CNN se oficerët arritën brenda një minute pasi morën njoftimin dhe se nuk kishte pasur asnjë shkëmbim zjarri.

Deri më tani nuk është konfirmuar akoma motivi i plotë që e çoi në vrasjen e 5 personave. Hetuesit po shikojnë gjithashtu në rrjetet sociale, ku gazeta ka marrë disa kërcënime të dhunshme.

“Capital Gazette” publikon disa gazeta lokale, duke përfshirë edhe të përditshmen “The Capital”, që ka filluar së publikuari që në 1884-n. Gazeta zotërohet nga gupi mediatik “Baltimore Sun”./abcnews.al