Kuvendi shtyn masat shtrënguese në RMV



Kuvendi shtyn masat shtrënguese në RMV

17:26 20/10/2020

Zaev: Kemi arsye për vendosjen e maskës në publik

Masat restriktive, mbajtje e maskave në ambient të hapur, ndalesa për grupim pas orës 22:00 dhe ndalesa për ahengje nëpër shtëpi, presin për ndonjë seancë të radhës, pasi në seancën e sotme nuk u diskutuan aspak. Edhe pse fillimisht ishte në rend dite, pika për ndryshimet e ligjit për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse, u hoq nga rendi i ditës, përpara se të fillonte seanca.

Pika e rendit të ditës është hequr me kërkesë të opozitës me qëllim që edhe për pak kohë ta shqyrtojnë tekstin dhe më pas të japin propozimet e tyre. Kryeministri Zoran Zaev theksoi se ekzistojnë argumente serioze për bartjen e maskave edhe në ambient të hapur, duke bërë thirrje që të respektohet mendimi i ekspertëve dhe institucioneve. Ai nënvizoi se masat e propozuara nuk dallojnë nga masat që i propozon bota.

“E shihni se numrat po rriten. Virusi qëndron në sipërfaqe gjatë lëvizjes ne po e ngremë. Të gjitha masat që janë propozuar e që presin ndryshime ligjore dhe masat tjera shtesë nuk dallojnë nga masat të cilat i propozon bota.”

Gjatë ditës së djeshme, Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët ka propozuar qeveri të zgjeruar teknike që të menaxhohet më lehtë situata me pandeminë dhe lidhur me këtë Zaev tha se nuk ka arritur ndonjë propozim konkret, por nëse arrin, ia vlen të shqyrtohet.

Tv Klan




Të ngjashme