Në fokus, përgatitja për Forumin Ekonomik të Shkupit

Pak ditë përpara Forumit Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal, që do të mbahet më 29 Korrik në Shkup, Kryeministri Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiç janë takuar virtualisht.

Pjesë e bisedës mes tyre ka qenë rakordimi i axhendave, përpara se të vendoset edhe për emrin e Minishengenit dhe projekteve konkrete.

Lajmin e ka bërë me dije, Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, i cili publikoi edhe një fotografi nga takimi që e shoqëroi me mbishkrimin “Ky është një Ballkan i ri, evropian” .

“Këtë mëngjes kam pasur një takim produktiv kushtuar përgatitjeve për Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal, për të cilin së bashku me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama ne organizojmë në Shkup më 29 Korrik. Ne lidhemi edhe më shumë për ta bërë jetën e të gjithë qytetarëve tanë më të lehtë dhe më të mirë. Ky është Ballkani i ri, Evropian.”

Forumi Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal, në të cilin do të marrin pjesë edhe vendet e tjera të rajonit, organizohet në kuadër të krijimin të “Mini Shengenit”, një nismë e kryeministrit Rama, Presidenti Vuçiç dhe Kryeministrit maqedonas Zaev.

Në takimin e datës 29 Korrik do të diskutohet rreth projekteve që kanë të bëjnë me infrastrukturën, energjetikën, turizmin si dhe zhvillimin e përbashkët rajonal.

Sakaq BE ka akorduar për 6 vendet e rajonit Perëndimor 30 miliardë Eurosh përmes një plani ekonomik, që për t’u vënë në zbatim kërkon funksionimin si një hapësirë të përbashkët pa barriera.

Tv Klan