Spiker: Redi Prifti

Headline 17 Shtator 2022

Shira të rrëmbyeshëm në veri. Probleme në Kukës e Tropojë. Sinoptikanët: Stuhia zgjat deri nesër.

I gjithë vendi përfshihet nga moti i keq. Shirat me intensitet të lartë shkaktojnë probleme në disa zona, por situata më problematike ishte në Kukës e Tropojë ku disa shtëpi janë përmbytur. Sinoptikanët thonë se kjo situatë zgjat deri nesër.

Reshjet përmirësojnë situatën hidrike në Drin. Verdho: Ndalim importin e energjisë.

Reshjet e 24 orëve të fundit ndikojnë pozitivisht në situatën hidrike në kaskadën e Drinit. Kreu i KESH, Ergys Verdho thotë se niveli në ujëmbledhësin e Fierzës u rrit me 4 metra dhe se shumë shpejt do të ndërpritet importi i energjisë.

Rama: Zhvilime të tjera për lobimin Rus në PD. Transparencë për spiunin “I.M”.

Kryeministri Rama paralajmëron zhvillime të tjera sa u përket financimeve ruse në Partinë Demokratike. Kryeministri thotë se do të bëhet transparencë edhe për ish-bashkëpunëtorin e sigurimit të shtetit me inicialet I.M.  

Radhë kilometrike për të nderuar Mbretëreshën Elizabete II.

Vijojnë radhët kilometrike në Londër në homazhet për nder të mbretëreshës Elisabeta e dytë. Njerëzve u janë dashur të presin edhe 24 orë për të kryer homazhet, mes të cilëve edhe figura të njohura të jetës publike.

Biden paralajmëron Moskën për Ukrainën. Putin, Europës: Kriza energjitike, jo faji i Rusisë.

Presidenti amerikan Xho Bajden paralajmëron Moskën se do të përballet me kundërpërgjigjen më të ashpër nëse përdor armë të shkatërrimit në masë në Ukrainë. Ndërsa Putin thotë se kriza energjetike në Europë nuk është për faj të Rusisë.

Abakarov, medalje ari për Shqipërinë. Triumfon në finalen e Botërorit të Mundjes në Beograd.

Zelimkhan Abakarov i sjell Shqipërisë medaljen e parë të artë botërore në mundje. Rusi i natyralizuar si shqiptar triumfoi në finalen e peshës deri 57 kilogramë në stilin e lirë e zhvilluar këtë të shtunë në Beograd.