Spiker: Drini Zeqo

Headlines 5 Tetor 2024

Përmirësohet situata nga përmbytjet në Vlorë. Dëme të mëdha në banesa e biznese

Përmirësohet situata e shkaktuar nga moti i keq në Vlorë, megjithatë ka prezencë uji në disa akse kryesore. Autoritetet kanë nisur të bëjnë bilancin, pasi përmbytjet e një dite më parë kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale në banesa e biznese.

21 viktima nga përmbytjet në Bosnje. Vijojnë kërkimet për të zhdukurit e tjerë

Një nga shtetet më të prekura nga moti i keq që goditi ditën e djeshme Ballkanin është Bosnje Hercegovina. Mediat atje flasin për 21 viktima dhe dhjetëra të zhdukur. Në terren vijojnë kërkimet për gjetjen e personave të tjerë.

Erdogan viziton të enjten Tiranën. Do të pritet nga Kryeministri Rama

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan do të vizitojë Shqipërinë javën e ardhshme. Ai do të jetë në Tiranë më 10 tetor ku gjatë qëndrimit për disa orë do të takohet me kryeministrin Edi Rama. Pas Tiranës, Erdogan do të vizitojë Beogradin.

SPAK u “tradhtua” në të paktën 12 raste. Hetime për dekonspirim për raste krimi e korrupsioni

SPAK dyshon se në të paktën 12 aksione të tij për goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar mund të jetë tradhtuar nga policia dhe hetues të BKH. Për këtë ka nisur 12 procedime për zbulimin e atyre që nxorën akte dhe të dhëna sekrete.

1 në 11 vdekje në Europë, për shkak të alkoolit. Mjekët: 25 % e shqiptarëve janë pijedashës, 4 % të varur

Gati 25% e shqiptarëve janë pijedashës, ndërsa 4% e tyre janë të varur prej tij. Mjekët thonë se fenomen shqetësues vitet e fundit është shoqërimi i alkoolit me kokainë. 1 në 11 vdekje në Europë ka si shkak përdorimin e alkoolit.

Bejruti, zonë lufte. Disa shtetet nisin operacionet e evakuimit të qytetarëve të tyre

Bejruti është kthyer tashmë në zonë lufte si pasojë e sulmeve ajrore të Izraelit. Forcat izraelite kryen gjatë natës mbi 12 sulme, ndërsa shtetet e ndryshme kanë nisur operacionet e evakuimit për largimin e qytetarëve të tyre nga Libani.

“100 Këngë nga Bota”, nis të dielën në Tv Klan spektali muzikor me hitet që mbetën në histori

“100 Këngë nga Bota” është spektakli më i ri që do të çelë siparin në ekranin e Tv Klan në 6 Tetor. Nën drejtimin e Pandi Laços dhe Marsela Çibukajt, për 12 të diela do të vijnë për publikun këngët që kanë bërë historinë e muzikës botërore.