Lajme, #edicioniinformativ ora 19:30 data 8 Korrik 2024 #TvKlan #KlanLajme

Spiker: Reis Çiço

Vangjel Tavo, kandidat i PS për zgjedhjet e 4 gushtit për kryetarin e bashkisë së Himarës

Partia Socialiste ka përzgjedhur menjëherë kandidatin e saj, pas shpalljes së 4 gushtit për mbajtjen e zgjedhjeve në bashkinë e Himarës. Ai është prefekti aktual i Vlorës, Vangjel Tavo, kandidatura e të cilit u miratua sot në mbledhjen e Kryesisë.

Mazhoranca depoziton ndryshimet në kodin zgjedhor. Formulë e re për ndarjen e mandateve të deputetëve

Ashtu siç kishte paralajmëruar Partia Socialiste depozitoi në Kuvend ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Nisma synon të bëjë realitet votën e emigrantëve që në zgjedhjet e ardhshme. Ndryshon dhe formula e ndarjes së mandateve të deputetëve.

Kapet duke hyrë në Rinas biznesmeni Gazmend Haxhia. SPAK e akuzon si bashkëpunëtor të Beqajt

Arrestohet duke hyrë në Rinas, biznesmeni Gazmend Haxhia i shpallur në kërkim për çështjen e fondeve të SASPAC, për të cilat përfundoi në pranga edhe ish-ministri, Ilir Beqaj. Për Haxhian, gjykata ka caktuar në mungesë masën arrest shtëpie.

Dumani: 7 të kërkuar strehohen në Dubai. Pengesa në ekstradim jo vetëm për Shqipërinë

Prokuroria e Posaçme thotë se vijon përpjekjet për ekstradimin nga Dubai të 7 emrave të njohur të botës së krimit. Sipas kreut të SPAK, Altin Dumani pengesa e ekstradimit nga Emiratet Arabe nuk është një problem vetëm shqiptar.

Shtohen të rinjtë e përfshirë në aksidente, eksperti: Ka mangësi në përgatitjen e tyre

127 aksidente rrugore me autorë shoferë të rinj kanë ndodhur në 5 muajt e parë të këtij viti, duke shënuar një rritje me 44%. Ekspertët thonë se duhet të rritet kërkesa e llogarisë gjatë marrjes së patentës pasi ka mangësi në përgatitjen e tyre.

Macron refuzon dorëheqjen e kryeministrit. Shmanget fitorja e nacionalistëve, por s’ka shumicë parlamentare

Pasi bashkëpunoi me të majtën për të shmangur fitoren e ekstremit të djathtë, presidenti francez Emanuel Makron bën një lëvizje të befasishme. Ai refuzoi dorëheqjen e kryeministrit duke e futur vendin në një rrugë paqartësish politike.

Nesër gjysmëfinalja e parë e Euro 2024. Spanja me mungesa, Deschamp s’i beson Griezmann-it

Emocionet e Kampionatit Europian rikthehen sërish nesër me gjysmëfinalen e parë Spanjë – Francë që do të transmetohet në ekranin e Tv Klan. Iberikët përballen me mungesa të shumta ndërsa trajneri francez pritet të lërë në stol Ontuan Grizman.

/tvklan.al