Në një ceremoni prej 600 personash, bota e futbollit i dha lamtumirën e fundit trajnerit legjendar, Sven-Goran Eriksson.

Funerali u zhvillua në qytetin rural të Torsby, pranë kufirit me Norvegjinë dhe u ndoq nga qindra njerëz në një ekran gjigant të vendosur jashtë kishës ku ndodhej trupi i 76-vjeçarit.

Pjesë e homazheve ishin kryeministra, drejtues klubesh, lojtarë dhe ish-futbollistë, teksa në nderim të tij, kombëtarja angleze dhe ajo suedeze luajtën me shirit të zi në krah ndeshjet e Ligës së Kombeve.

Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe legjenda David Beckham, i cili u gradua kapiten i Anglisë nën drejtimin e Eriksson.

Ai e udhëhoqi Anglinë në çerekfinalet e Kupës së Botës 2002 dhe 2006, dhe në Kampionatin Evropian 2004, duke menaxhuar një brez të artë lojtarësh që përveç Beckham përfshinte yje si Frank Lampard, Wayne Rooney dhe Steven Gerrard.

Një trajner i butë, por i vendosur, Eriksson udhëhoqi skuadra në Suedi, Portugali dhe Itali drejt trofeve të mëdha në vitet 1980 dhe 1990 përpara se të merrte detyrën në kombëtaren e Anglisë në 2001.

Ai filloi të ndërtonte reputacionin e tij ndërkombëtar kur udhëhoqi klubin suedez IFK Gothenburg drejt titullit të Kupës UEFA në 1982 dhe u shpall nënkampion si trajner i Benfica-s dhe klubeve italiane Roma, Fiorentina, Lazio dhe Sampdoria.

Në pamundësi për t’i dhënë fund thatësirës së trofeve të Anglisë, ai u largua nga stoli i kombëtares së Tre Luanëve në vitin 2006, duke shkuar si trajner i Manchester City dhe Leicester City, më pas Meksikës dhe Bregut të Fildishtë dhe klubeve në Kinë dhe Filipine.

Eriksson njoftoi në janar se vuante nga kanceri i pankreasit sëmundje me të cilën humbi edhe betejën për jetën.

Klan News