Një plejadë limanesh dhe ishujsh shkëmborë? Ujëra të kaltër si në një pikturë të Van Gogh? Nuk është Greqia dhe as Italia. Është Shqipëria ish-komuniste që deri tani njihej vetëm për bunkerët e saj. Kështu nis një reportazh i gazetës së njohur franceze “Le Figaro” për Rivierën shqiptare që sipas saj ka disa nga plazhet më të bukur në Europë.

Në shkrim renditen njëri pas tjetrit, plazhi i Porto Palermos për të cilin kujton historinë e Ali Pashës. Për Ksamilin veçon atmosferën e plazheve greke. Plazhi i Gjipesë dhe Gjiri i Gramës sugjerohet për ata që duan të ikin nga turmat ndërsa Llamani për ata që pëlqejnë festat. “Le Figaro” shkruan se vija bregdetare shqiptare nuk ka asgjë për t’u pasur zili nga vendet e tjera të Mesdheut.

Me 300 ditë me diell në vit, gazeta franceze nënvizon se jugu i vendit ka një bregdet të mrekullueshëm, me ujëra të kristalta, shkëmbinj dhe kodra të gjelbëruara. Nuk mungojnë kështjellat antike, kanionet, limanet dhe plazhet e izoluara.

Tv Klan