Projektligji i ri parashikon zgjerimin e kategorive të personave që përfitojnë

Qeveria shqiptare ka planifikuar të lehtësojë procedurën e pajisjes me leje qëndrimi për shtetasit e huaj që duan të jetojnë në vendin tonë. Miratimi i projektligjit të ri “Për të huajt”, synon ta kthejë Shqipërinë në një vend më tërheqës për personat me kombësi tjetër. Kategoritë që do kenë prioritet dhe procedura lehtësuese janë ata persona që duan të qëndrojnë në Shqipëri për arsye punësimi.

“Ne po krijojmë procedura më të lehtësuara për lejet e qëndrimit duke shmangur burokracinë që në jo pak raste ishte bërë pengesë sidomos për investitorë potencialë dhe për fuqinë punëtore”, është shprehur Bledi Çuçi.

Për qytetarët amerikanë, të vendeve të BE-së si dhe Kosovës , të cilët aplikojnë për herë të parë, parashikohet lëshimi i lejws unike të qëndrimit me afat 5-vjeçar menjëherë, me të drejtë rinovimi në leje qëndrimi të përhershme, diçka që më parë nuk ka ekzistuar.

Kategori përfituese janë pensionistët e huaj të cilët duan të jetojnë në Shqipëri apo dhe ata persona që kanë në pronësi pasuri të paluajtshme në vendin tonë.

Me leje qëndrimi të përkohshme do të pajisen, kërkuesit shkencor dhe studentët e huaj, si dhe ata të rinj që duan të njohin gjuhën dhe kulturën e vendit tonë. Këta të fundit mund të qëndrojnë përkohësisht pranë një familje shqiptare.

Gjithashtu sipas ministrit të brendshëm ndër përfituesit janë dhe kategoria e personave pa shtetësi, të cilëve do u garantohet lëshimi i lejes së qëndrimit duke përmbushur të drejtën për qëndrim të ligjshëm, konfrom konventave ndërkombëtare.

Klan News