Alfred Balla e ka cilësuar “të turpshëm” vendimin e sotëm të Kolegjit të Posaçëm të Apelit për përjashtimin e tij nga sistemi i drejtësisë për plot 15 vite.

Përmes një reagimi në Instagramin e tij, ai thotë se ky vendim i formës së prerë nuk prek statusin e tij aktual si Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pasi siç thekson ai, aty e ka vënë Parlamenti dhe shoqëria civile. Ndërkohë sipas KPA, Balla s’mund të ushtrojë detyrën në asnjë nga institucionet e drejtësisë.

“Një sqarim për miqtë e kolegët: Edhe pse shpresova se nuk do të ndikohej, sot KPA-ja (shumica) mori një vendim të turpshëm që të ndërpresë pa një vendim përfundimtar, vettingun tim si ish-këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë ku kam punuar para 8 vitesh, duke shoqëruar edhe me ndalesat e nenit “G” të Aneksit të Kushtetutës, të cilat u vihen vetëm atyre që dorëhiqen ose shkarkohen nga detyra ku nuk ishte asnjë rast për mua. Ky vendim më la shije jo të mirë edhe pse nuk ka lidhje me statusin tim aktual në KLP, si i zgjedhur nga Parlamenti nga radhët e shoqërisë civile dhe jo si magjistrat. Për sqarim, ky nuk është një vendim shkarkimi, pasi nuk është bërë hetim admnistrativ ndaj meje. Në bazë të këtij vendimi, në të ardhmen nuk mund të kandidoj për vende të caktuara, kuptohet deri sa të shprehet GjEDNj. Më keq më vjen për avokaten time, që kishte bindjen se çështja ishte e fituar, nisur nga gjithë praktika e vetë KPA-së…”, thotë Balla në reagimin e tij.  

Vendimi i KPA-së:

Balla u përball me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë, detyrë të cilën e ka ushtruar deri në 31 korrik 2017 dhe sipas ligjit ai  duhej t’i nënshtrohej procesit të vettingut./tvklan.al