110 vjeçe! Me origjinë japoneze, por lindur e rritur në SHBA. Yoshiko Miwa na tregon sekretin e jetëgjatësisë.

Yoshiko Miwa lindi më 28 shkurt 1914, në Guadalupe të Kalifornisë, nga emigrantë japonezë. Ajo ishte e pesta nga shtatë fëmijët. Kur nëna dhe vëllai i saj i mitur vdiqën në vitin 1919, babai i saj ngriti një fermë të vogël dhe iu përkushtua plotësisht punës. Kështu, Yoshiko bashkë me vëllezërit e motrat e saj u dërguan të jetonin në Kishën Budiste të zonës.

Yoshiko u diplomua në shkollën e mesme “Santa Maria” në 1932-in dhe studioi biznes në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, deri në vitin 1936. Më pas gjeti dashurinë. U martua me Henry Miwa në 1939-ën.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, çifti dhe familjet e tyre u dërguan në Kampin e Internimit “Poston” në Arizona përpara se të zhvendoseshin në Hawthorne të Kalifornisë. Kur ata, së bashku me shumë japonezë të tjerë, patën vështirësi për të gjetur punë, burri i saj themeloi një biznes që merrej me fidanishte dhe në vitin 1963, Yoshiko Miwa mori licensën e saj të infermierisë.

Yoshiko ka tre djem, 10 nipër e mbesa dhe 20 stërnipër. Ajo i ka mbijetuar gripit spanjoll, Luftës së Dytë Botërore, ka humbur shumë prej të afërmve të saj dhe pa e humbur buzëqeshjen thotë: Mos u ndalni!

Yoshiko rrëfen se si u dërgua në kampet e internimit gjatë Luftës së Dytë Botërore, aty ku siç thekson ajo “duhet të duroje atë që s’durohet”.  Shikata ga nai (仕方がない), një frazë japoneze që do të thotë, “S’ke çfarë i bën”, është gjithashtu një thënie që ajo e përdor shpesh.

Përveç një shpirti pozitiv, mbajtja e mendjes dhe trupit aktiv, ajo thotë se këmbëngulja, por njëkohësisht toleranca janë çelësi i jetëgjatësisë.

Familja dhe miqtë në ditëlindjen e saj të 110-të

Kur Yoshiko Miwa doli në pension, ajo dilte për ecje çdo mëngjes. Në vitin 1990, në moshën 76-vjeçare, mori pjesë në Marshimin e madh në Walkathon. Lexon shumë libra, merret me lulet, praktikon sumi-e që është një art japonez ku përdoret boja dhe qep rroba. I pëlqen shumë çdo lloj byreku apo makaronat.

Ajo ka shkruar një autobiografi

Pasi mori pjesë në një kurs shkrimi, Yoshiko Miwa shkroi autobiografi. Në të, ajo kujton udhëtimet e saj në Romë, Japoni, Paris dhe Ujëvarat e Niagarës.

Për shkak se nëna ime vdiq kaq e re, nuk e kam shijuar kurrë ngrohtësinë dhe dashurinë e një njësie familjare”, shkruan ajo në autobiografinë e saj. “Më vonë, kur pata fëmijët e mi, ndjeva fort dashurinë e një familjeje të plotë.”

Po ta pyesësh cili është hobi i saj i ri së fundmi, ajo përgjigjet: Gjumi! /tvklan.al