Haaland vendos fitoren e Dortmund ndaj PSG

Ekipi kampion në fuqi në Champions League, Liverpool u mund 1 – 0 në transfertë me Atletico Madrid. Një ndeshje e vendosur që në minutat e para me golin Saul. Spanjollët më pas u treguan të kujdesshëm në mbrojte, pa harruar të shqetësonin portën kundërshtare.

Ndeshja e kthimit më 11 mars në ‘Anfield’ do të jetë një tjetër përballje e zjarrtë që do të vendosë ekipin çerekfinalist dhe Jurgen Klopp pret reagim nga ekipi i tij.

“Do të kalojnë shumë ditë deri në ndeshjen e kthimit, mund ta përgatisim më së miri. Përballë publikut tonë do të jetë ndryshe në krahasim me këtë sfidë”, tha trajneri i Liverpool Jurgen Klopp.

Trajneri i Atletico, Diego Simeone u shfaq tepër i lumtur edhe për atë që u tregua në fushë.

“Ishte një ndeshje e bukur, me intensitet të lartë dhe plot cilësi. Fituam një përballje të madhe”.

Borussia Dortmund triumfoi ndaj Paris Saint Germain me rezultatin 2 – 1. Heroi i takimit ishte Erling Haaland, shënuesi për ekipin gjerman. 10 gola në 7 ndeshje të Champions League këtë sezon, duke vendosur një rekord për moshën e tij të re, vetëm 19 vjeç.

Djaloshi norvegjez befasoi në këtë sfidë edhe me shpejtësinë e jashtëzakonshme, pasi përshkoi distancën prej 60 metra për 6 sekonda e 64 të qindtat, shumë pranë rekordit botëror 6 sekonda e 34 të qindtat.

Tv Klan