Gjykata: Akuzat, të pabazuara në fakte e prova

Të nisura dy vjet më parë jo me pak bujë, hetimet për kontratat e lobimit të Partisë Demokratike, u pushuan nga Gjykata Penale e Tiranës.

“Gjyqtari Lazër Sallaku vendosi të pushojë hetimet për kryedemokratin Lulzim Basha dhe dy zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike të akuzuar nga Prokuroria e Tiranës për falsifikim të dokumenteve, formularëve dhe stampave”.

Seanca paraprake zgjati më shumë se tre orë.

Pasi dëgjoi palët, gjykata arriti në përfundimin se nuk ka fakte që të provojnë akuzat e ngritura për falsifikim të formularëve, në lidhje me deklarimet e Partisë Demokratike në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për shpenzimet e fushatës elektorale të vitit 2017.

Në sallë ishte i pranishëm ish–Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani dhe avokatët Eduard Halimi dhe Ivi Kaso, që përfaqësuan kryedemokratin Basha dhe ish–financierin Ilir Dervishi.

Prokuroria i nisi hetimet mbi dyshimet e revistës amerikane ‘Mother Johnes’ se kompania amerikane ‘Muzin Partners’ ishte paguar 675 mijë Dollarë nga kompania offshore ‘Biniata Trade’ me pronarë rusë, për të lobuar për llogari të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Partia Demokratike i ka mohuar vazhdimisht këto akuza, duke i cilësuar si politike, çka sipas palës së akuzuar u vërtetua edhe nga vendimi i gjykatës.

“Unë ju thashë është një akuzë e montuar politikisht që u provua, kanë qenë veprime ligjore nga ana e PD-së, dhe mesa duket se sado të ndikojnë tek drejtësia do ketë njerëz që do japin drejtësi”, tha Arben Ristani në përfundim të gjyqit.

Ky ishte një vendim që rrëzoi tërësisht gjithë akuzën, gjithë gjuetinë e shtrigave që për dy vjet u mbajt në territorin e prokurorisë dhe që u rrëzuan përfundimisht të gjitha akuzat ndaj Partisë Demokratike”, u shpreh Eduart Halimi.

Hetimet për këtë dosje sollën përplasje në Prokurorinë e Tiranës mes prokurorëve Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha, nga njëra anë, dhe Kolë Hysenajt nga ana tjetër.

Dy të parët i mbyllën hetimet më 7 Nëntor të vitit 2019, duke ngritur vetëm akuzën për falsifikim të formularëve dhe duke rrëzuar atë për pastrim parash.

Hysenaj këmbënguli që hetimet të vazhdonin derisa të merrej në pyetje edhe Nik Muzin, përfaqësuesi i kompanisë ‘Muzin Partners’, por kërkesa e tij vetëm sa e bllokoi dosjen për 30 ditë në Prokurorinë e Tiranës.

12 Dhjetorin e vitit të kaluar, dosja u dërgua siç kishin vendosur prokurorët Tako e Karanxha.

Të njëjtin qëndrim të ndarë, tre prokurorët mbajtën edhe në seancën e së hënës.

Karanxha u përjashtua në seancë nga gjyqtari paraprak, sipas kërkesës së bërë nga drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj.

Ndërsa nuk është e qartë nëse Tako e Hysenaj do ta apelojnë vendimin e gjyqtarit Sallaku, apo do ta mbyllin përfundimisht këtë çështje.

Tv Klan