Lajme Arkiva 2003

Kur sapo janë mbushur 5 muaj nga vizita e bujshme dhe enigmatike, kryetari i lobit greko-amerikan Nicholas Gage, ka mbërritur sërish në kryeqytetin shqiptar. Mësohet se zoti Gage është shoqëruar nga aeroporti i Rinasit për në Tiranë  nën masa të ashpra sigurie nga mjetet e ambasadës amerikane.

Burime zyrtare i kanë pohuar Tv Klan se vizita e zotit Gage në Tiranë edhe kësaj radhe është private. Ai është parë nën shoqërinë e ambasadorit amerikan James Jeffrey gjatë një dreke punë në një nga lokalet luksoze në periferi të kryeqytetit, por për shkak të masave të larta të sigurisë dhe mbikëqyrjes së fortë të takimit Jeffrey- Gage nuk ka qenë i mundur fiksimi me kamera i këtij takimi.

Ashtu si herën e parë qëllimi i kësaj vizite të Nicholas Gage në Tiranë mbetet enigmatik dhe ende nuk është mësuar nëse do të ketë takime me kryeministrin Nano apo me liderin  e opozitës Berisha.

Në dhjetor ishte hera e parë, pas vitit 1995 kur ishte shpallur me dekret presidencial person non grata në Shqipëri, që ish presidenti Sali Berisha takonte kryetarin e lobit greko-amerikan Nicholas Gage./tvklan.al