Lajme Arkiva -TV Klan 2004

Anëtarët e kryesisë socialiste ndajnë pikëpamje të ndryshme mbi reformën e partisë, përpara zgjedhjeve parlamentare.

Luan Rama: “Lëvizja për ndryshim që është një vlerë e PS, duhet të rivitalizojë strukturat e partisë nga qendra në bazë në funksion të fitores në zgjedhje dhe ajo që duhet të ndryshojë pikë së pari është kodi i komunikimit dhe i bashkëveprimit të të gjithë socialistëve kudo që janë, mbi bazën e domosdoshmërisë së fitores në zgjedhje, si një domosdoshmëri për fatet e vendit dhe jo thjesht për interesat e PS.”

Arta Dade: “Çdo ndryshim duhet të bëhet mbi bazën e analizave dhe jo në mënyrë sporadike, apo në mënyrë të pa principtë, duke u bërë edhe sulme personale, apo dhe denigrime të figurave të partisë, siç është rasti me sekretarët e KPD-së.”

Komisionet e përhershme pranë KPD-së shqyrtuan propozimet e bëra nga deputeti Petro Koçi. Komisionet nuk miratuan ndarjen e mandatit të sekretarit të përgjithshëm të partisë nga ai i kryetarit të grupit parlamentar, pasi Gramoz Ruçi përfaqëson luftën politike të socialistëve.

Çështja e zëdhënësit politik do të shtrihet dhe në degët e partisë në rrethe. Kriteri i përzgjedhjes i është besuar kryesisë socialiste./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj