Sulmet e ndërsjellta mes grupit militant Hezbollah dhe Izraelit vazhdojnë edhe këtë të mërkurë.

Ushtria izraelite deklaroi se gjatë orëve të fundit forcat ajrore kishin kryer sulme ndaj Hezbollahut në Liban, duke përfshirë ndërtesat e ruajtjes së armëve, pikat e vëzhgimit dhe ato që i cilësojnë si objekte të infrastrukturës terroriste.

Si pasojë e sulmeve raportohet se 8 trupa izralite janë vrarë, por zyrtarisht deri tani ushtria izraelite ka konfirmuar vetëm 1 prej tyre. Gjithashtu mbetën të plagosur 35 të tjerë në jug të Libanit. Këto pamje tregojne evakuimin e personelit të plagosur.

Një zëdhënës i Hezbollahut tha se sulmet e tij me Forcat e Mbrojtjes të Izraelit në Libanin jugor sot janë pjesë e raundit të parë të luftës.

Ndërkaq Izraeli dhe Irani kanë kërcënuar për hakmarrje kundër njëri-tjetrit, duke rritur frikën për përshkallëzimin drejt një lufte rajonale. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu tha se do ta paguajnë shtrenjtë gabimin pas sulmit të së martës.

Në reagimin e parë, udhëheqësi i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, fajësoi për tensionet dhe luftërat rajonale, SHBA-të dhe disa vende evropiane të cilat pohojnë në mënyrë të rreme se po sjellin paqe dhe qetësi në rajon.

Pjesa më e madhe e raketave të hedhura nga Irani u shkatërruan në ajër nga sistemi anti-ajror izraelit “Mburoja e Hekurt”. Ato kishin në shenjestër vetëm objektiva ushtarake, disa prej tyre ranë pranë zonave të banuara, si ky rast që është filmuar nga një banor i Tel Avivit.

Si pasojë e breshërive të raketave dëme pati në banesa, biznese dhe automjete.

Në Bregun Perëndimor, një person humbi jetën nga mbetjet e raketave iraniane të shkatërruara në ajër. Mediat shkruajnë se për herë të parë Irani në sulmin e së martës përdori raketën hipersonike Fatah-1 që arrin një shpejtësi deri 6 100 kilometra në orë. Ndërkaq, Izraeli shpalli “non-grata” Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, që nuk e dënoi sulmin iranian.

Klan News