Vllaznia pret Laçin, Teuta sfidohet nga Skënderbeu

Ditën e sotme do të luhen dy gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Në Shkodër, në orën 16:00, Vllaznia vendase do të presë Laçin. Këto dy skuadra u ndeshën para disa ditëve në kampionat dhe 90 minutëshi përfundoi në barazim pa gola. Ndeshja gjysmëfinale pritet të jetë e gjitha strategji dhe dinakëri për të siguruar finalen.

Fitimi i këtij trofeu është edhe sigurimi i pjesëmarrjes në kupat e Europës. Duke qenë se bashkë me finalen bëhet fjalë për dy ndeshjet e fundit të Kupës, Vllaznia ka dashur të rrisë motivimin e futbollistëve duke iu premtuar 10 mijë euro shpërblim në rast fitoreje ndaj Laçit.

Nga ana tjetër, Teuta kryeson Superligën aktualisht, por deri më tani vendin e parë në renditje e kanë shijuar edhe skuadra të tjera kështu që nuk është ende e vendosur matematikisht se cili ekip do të jetë kampion. Durrsakët do të bëjnë maksimumin për të kaluar në finale dhe përballë Skënderbeut duket se janë ekipi i favorizuar. Korçarët nuk mund të luajnë në Europë edhe nëse kualifikohen. Objektivi i tyre mbetet mbijetesa në Superligë.

Tv Klan