Një dekadë më parë gazetari italian Roberto Saviano demaskoi sindikatën kriminale të mafias italiane me librin mjaft të shitur “Gomorra”, pastaj realizoi një film që u vlerësua me çmime.

Që nga ajo kohë, jeta e tij është vazhdimisht në rrezik. Filmi ka frymëzuar një serial televiziv që pritet të shfaqet së shpejti në Shtetet e Bashkuara.

Gazetari italian ka marrë kërcënime me vdekje, pas daljes së librit dhe vazhdon të jetojë nën mbrojtjen e policisë këto dhjetë vitet e fundit.

Por kjo nuk e ka ndalur atë të krijojë një serial televiziv me të njëjtën temë, ku Saviano na e jep mafian në një dritë tjetër.

“Mendoj se seriali televiziv është këndvështrimi i ri për pushtetin dhe logjikën e mafias,

” thotë Saviano.

Ai thotë se seriali “Gomorra” është shumë i ndryshëm nga seriale të tillë si “Sopranot”, “Kumbari” apo “Njeriu me shenjë”:

“Mafia në serinë “Kumbari” është një organizatë tipike metafizike. Ndërsa Gomorra “është gjaku i vërtetë, jeta e vërtetë, familja e vërtetë, lufta e vërtetë, banda e vërtetë.” “Kumbari” është gjyshi i “Gomorrës”.

Ja se si e sheh Saviano ndryshimin mes serialit të tij dhe atij amerikan “Sopranot”:

“Fuqia e Kamorrës në këtë moment është shumë e madhe. Mafia Italo-amerikane në SH.B.A. është një perandori në krizë. Prandaj, seriali “Sopranot” bën fjalë për një kartel tashmë të shembur. Në serialin “Gomorra” mafia nuk është një problem lokal, por global. Fokusi aty është te fuqia ekonomike, jo thjesht te lufta e mafias,”

thotë Saviano.

Kjo ishte ideja që e nxiti Savianon për të shkruar librin, i cili flet për veprimtarinë kriminale të klanit Casalese, një kartel i Kamorrës së Napolit.

Por kjo bëri që ai të marrë kërcënime me vdekje dhe të jetojë në arrati. Që nga ajo kohë, Saviano jeton nën mbrojtje, jeta e tij ruhet.

“Kur Mafia të dënon, jeta dhe çdo gjë në jetë ndryshon përgjithmonë”

, thotë ai.

Megjithatë, Saviano nuk ka hequr dorë dhe ka vënë të njëjtat energji për sezonin e dytë të serialit me 12 pjesë, që do të transmetohet këtë muaj në televizionin Sundance.

Romani i Savianos është shitur në mbi 10 milion kopje në mbarë botën, dhe ka shërbyer si frymëzim për filmin “Gomorra”, që fitoi Çmimin e Madh të Kanës në vitin 2008.

/tvklan.al

Burimi: VOA