Manchester City mund të përjashtohet nga Champions League pasi dyshohet se ka anashkaluar rregullat e Fair Play Financiar. E-mail-et e zbuluara nga Football Leaks treguan se City ka manipuluar të ardhurat nga sponsorizimi.

Një prej rasteve ishte ai ku afërsisht 60 milionë paund u deklaruan si të paguara nga pronari i klubit dhe jo nga sponsori i fanellës dhe i stadiumit Etihad.

UEFA ka nisur një hetim për këtë çështje që pritet të mbyllet së shpejti. Vetëm 4 vite më parë, City u ndëshkua për të njëjtën shkelje me një gjobë prej 16.3 milionë paundësh. Nëse gjendet fajtor edhe kësaj radhe ndëshkimi do të jetë shumë më i ashpër, një pezullim i mundshëm nga sezoni i ardhshëm i Champions Legaue.

Nën hetim është edhe klubi Francez i PSG, por çështja e Manchetser duket shumë më serioze, sipas të përditshmes “The Times”. Sipas saj, UEFA do të kërkojë ta bëjë shembull City, në mënyrë që të mbajë lart respektimin e rregullores së Fair Play Financiar. Presidenti i saj Aleksander Ceferin ka deklaruar se së shpejti do të dalin me një deklaratë mbi këtë rast konkret. Por sipas mediave britanike, nëse do të ndëshkohet, Manchester City do të ngrejë një padi ndaj UEFA-s për të fituar kohë dhe shtyrë dënimet sportive. Vetë klubi nuk është deklaruar ende mbi këtë çështje.

Tv Klan