Italia kampione e Euro 2020, në Wembley vendosën 11-metershat

Është Italia kampionia e Europës. Është skuadra e Roberto Mancinit që bëri një kampionat fantastik. Ashtu edhe në ndeshjen e fundit, italianët ishin të shkëlqyeshëm, madje deri në fund. Anglia e filloi praktikisht në avantazh ndeshjen. Ishte Trippier zgjedhja e minutave të fundit të Southgate që krosoi nga e djathta. Topi përshkoi gjithë zonën dhe përfundoi në këmbën e majtë të Luke Shaw i harruar nga italianët.  Mbrojtësi shënoi me qetësi dhe lehtësi.

Italianët tentuan të reagonin, por ishin të pasigurtë dhe aksionet e tyre para zonës së Anglisë sfumoheshin. E vetmja përpjekje e qartë për të barazuar erdhi në minutën e 35, goditja e Chiesa gjithsesi përfundoi jashtë. Drejt fundit të pjesës së parë Italianët ishin zot fushe ndërsa Anglia mendoi të tërhiqet duke shpresuar në hapësira në mbrojtjen e kundërshtarit.

Edhe pjesa e dytë nisi kështu. Për 20 minuta italianët kërkuan golin dhe barazimi erdhi nga Bonuçi i cili ishte aty ku nevoja e thirri për të sjellë edhe një herë nivel rezultatin. Ndeshja shkoi me shtesa të cilat nuk ndryshuan rezultatin. Tek penalltitë më të saktë ishin italianët si në goditjet ashtu edhe në pritjet e tyre. Donnarumma është heroi dhe në Wembley u dëgjua shprehja “It’s not coming home, it’s going Rome”. Italia fiton kampionatin europian për herë të dytë pas 53 vitesh nga i pari. Anglia do të vazhdojë të vuajë dhe nuk dihet për sa kohë.

“Këta janë djemtë e mi dhe nuk kanë qenë kurrë basti im. Këta janë ato djem që bënë një popull të tërë krenar dhe e merituan këtë trofe. Besuan, nuk u dorëzuan dhe fituan. Një rrugëtim i vuajtur, por këta djem të mrekullueshëm e merituan plotësisht, tani le të festojnë”, tha Mancini.

Trajneri i Anglisë nuk fshihet, por merr përgjegjësinë e asaj që ndodhi.

“Është përgjegjësia ime. Unë zgjodha goditësit e penalltive bazuar në atë që kishim bërë në stërvitje dhe askush nuk vendosi vetë. Fatkeqësisht, djemtë nuk arritën të bënin më shumë. Jemi shumë të zhgënjyer”, tha Southgate.

Ata që humbën penalltitë për Anglinë ishin tre lojtarë me ngjyrë, Rashford, Sancho dhe Saka. Në rrjetet sociale ka shpërthyer një valë racizmi ndaj tyre. Federata angleze e futbollit reagoi nëpërmjet një deklarate ku dënoi diskriminimin dhe premtoi se do të bëjë gjithëcka mundet që të mbështesë futbollistët teksa bëri apel për ndëshkimin më të rëndë të mundshëm për përgjegjësit.

Tv Klan