Në forumin e sigurisë GLOBSEC 2024 në Pragë ku u diskutuan edhe çështjet e Ballkanit Perëndimor, kryeministri Edi Rama u pyet edhe për marrëveshjen me Italinë për kampet e refugjatëve. Kryeministri iu përgjigj moderatorit Steve Clemons për atë që ky i fundit e quajti “kundërshtimi i shumicës në BE” dhe nëse kjo do të përbëjë pengesë për anëtarësimin e vendit në BE.

Edi Rama: Së pari, dhe ndodh sot, që gazetarët nuk kanë informacion të saktë. Nuk është që “shumë në BE” dhe me BE ne konsiderojmë Bashkimin Europian të përfaqësuar nga Ursula von der Leyen. Në këtë pikë nuk po thuhet që marrëveshja është e gabuar. Ka shumë prej të ashtuquajturve progresistë që e konsiderojnë këtë marrëveshje një ide të keqe. Po më pyesni tani sesi mund t’i pajtoj këto të dyja bashkë. Nuk më takon mua kjo gjë. Mua më takon të jem i dobishëm për miqtë dhe për Shqipërinë që ajo të jetë e dobishme për miqtë. Në qoftë se miqtë kërkojnë diçka, ti duhet të jesh krah tyre. Jo domosdoshmërisht duhet të biesh dakord 100%. Ju e dini, kemi shkuar në luftëra së bashku, luftëra që nuk i zgjodhëm, ju i zgjodhët, ne erdhëm me ju dhe nuk i vumë aspak në dyshim sepse  kështu duhet të jetë. Marrëveshja në fjalë është për një temë që është kaq e madhe, kaq e rëndësishme, që është kaq përcaktuese për Evropën dhe për mënyrën sesi Evropa duhet ta shohë veten dhe të ardhmen e saj. Po flas për çështjen e migracionit. Ta transformosh këtë në një zënkë mes të majtës e së djathtës, ta transformosh këtë në një konflikt pafund brenda Europës, tregon së  pari që ky është një problem i të gjithë Europës, Europa nuk është gati të veprojë si një e vetme dhe e dyta, në vend që të trajtojmë problemin, është më e lehtë të ndërtojmë jetën e përditshme bazuar në politika partiake që nuk na çojnë askund./tvklan.al