Në forumin e sigurisë globale GLOBSEC 2024 në Pragë, kryeministri Edi Rama u pyet edhe për marrëdhëniet me Rusinë. Rama kujtoi marrëdhëniet e mëparshme të Rusisë me Shqipërinë, por që gjithçka ka mbetur në të shkuarën.

Ai tha se nuk ka asnjë  interes për Rusinë nga ana  e Shqipërisë, ndërsa mund të jetë problematike influenca e saj në vende të tjera të rajonit. Për këtë, kryeministri theksoi rëndësinë e përfshirjes së Kosovës, Serbisë e Bosnje-Hercegovinës në NATO, ndërthurur kjo edhe me anëtarësimin në BE.

Edi Rama: Merrni parasysh këtë: që nga ‘90 e deri më sot s’ka pasur një vizitë në Moskë të nivelit të lartë dhe as nga Moska dhe askënd s’e ka marrë malli për këtë. Ne nuk duam asnjë gjë të keqe për Rusinë. Rusia është një vend i madh, është një kulturë fantastike. Nuk e kam kuptuar asnjëherë meqë ra fjala që si është e mundur që për shkak të agresionit në Ukrainë, Dostojevski ndalohet në disa  prej universiteteve apo Stravinski të ishte “non grata” në disa trupa baleti. Kjo është pjesë e një pozite të keqe në të cilën jemi në një pjesë të botës sonë. Sa i përket Rusisë, nuk jemi të interesuar,  nuk ka oreks aty. Rusia nuk mund të gjejë shumë spiunë apo njerëz të cilët janë të gatshëm t’i shërbejnë Rusisë për pak para. Rusia, përzierja e saj në politikën tonë, kemi pasur disa gjëra, por asgjë të madhe. Aty ku Rusia është shumë e pranishme dhe është shumë influente dhe mund të jetë vërtet një problem, është në pjesë të tjera të Ballkanit dhe kjo është arsyeja pse kemi nevojë që Serbia dhe Kosova të dalin nga konflikti ndaj na duhet që ta mbajmë Serbinë në anën tonë sa më shumë të jetë e mundur dhe kjo është arsyeja pse, siç e përmendët ju në një prej pyetjeve tuaja, që është e rëndësishme që sa më shumë ta lidhim integrimin europian me integrimin në NATO dhe sa më shumë NATO të jetë e pranishme në sa më shumë vende në Ballkanin Perëndimor, do të jetë shumë më mirë. Unë kam qenë nga të parët që kam promovuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Në atë kohë shumë vende thoshin jo, jo sepse ka ndikim rus dhe në fakt rezultoi që të ishte mjaft dobiprurëse. Tashmë kemi Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi në NATO çka është majft më mirë sesa po të kishim vetëm Shqipërinë nga Ballkani Perëndimor. Në qoftë se kemi pastaj edhe Kosovën, Bosnjën e Serbinë në NATO, kjo do të bëjë një dallim shumë të madh./tvklan.al