Sipas deputetes socialiste Evis Kushi, qeveria duhet të intensifikojë përpjekjet për të arritur marrëveshjet me shtetet e huaja për njohjen e pensioneve të emigrantëve.

Gjatë fjalës së saj në seancën plenare, deputetja theksoi se ky është shqetësim i kahershëm i diasporës sidomos në vendet ku ka më shumë emigrantë shqiptarë.

“Së fundmi nga qeveria, pres që në të ardhmen të intensifikohen përpjekjet edhe për çështje të tjera që lidhen me diasporën e që janë shqetësim i kahershëm i tyre. E kam fjalën për marrëveshjet për pensionet dhe njohjen e viteve të punës në të dyja vendet. E kam fjalën për ato shtete ku ka më shumë emigrantë shqiptarë, siç janë Greqia, Italia apo Britania, Franca dhe SHBA-të. Qeveria e ka këtë çështje në vëmendjen e saj. Di që nuk varet vetëm nga ne dhe qeveria shqiptare se në çdo marrëveshje ka dy palë. Megjithatë di të them që nëse ne ia kemi dalë me 10 shtete deri më tani le të punojmë akoma më fort që t’ia dalim edhe për këto shtete që ka më shumë shqiptarë dhe përfitimet mund të jenë më të mëdha”, tha Kushi.

Ndërkohë Ministri i Diasporës, Pandeli Majko në lidhje me këtë çështje deklaroi se, “është e tepërt ta konsiderojmë këtë histori sikur po bëjmë një makinacion elektoral apo një makinacion ekonomik për të ftuar shtetas të huaj që të kalojnë pensionin këtu. Po i bëjmë një gjest shtetasve tanë që i themi që nëse vini në vendlindjen tuaj do ju presin disa lehtësira ekonomike”.

Vetëm 10 shtete i njohin shqiptarëve të drejtën e marrjes së një pensioni për vitet e punës në vendin tonë, dhe për ato vite që kanë punuar atje, Belgjika, Luksemburgu, Hungaria, Çekia, Rumanai, Turqia, Maqedonia, Gjermania, dhe së fundi Kanadaja dhe Austria.

Edhe pse janë në bisedime prej vitesh, Italia, Greqia, Britania, Franca dhe SHBA, shtete që kanë shumë diasporë shqiptare, nuk ka ende një marrëveshje për pensionet në Shqipëri./tvklan.al