Një lidhje mes 17-vjeçarit Kenado Shira dhe vajzës së Fiqiri Mjeshtrit, dyshohet se u bë shkak për përplasjen tragjike me armë të ndodhur këtë të mërkurë në Klos. Gazetari i Tv Klan, Merin Maçi në një lidhje direkte me Milori Live, nga vendi i ngjarjes zbardhi më shumë detaje nga kjo ngjarje e rëndë ku mbetën të vrarë babë e bir, Kenado dhe Liri Shira 17 dhe 46 vjeç, ndërsa u plagosën dy persona të tjerë që ndodheshin me ta.

Sipas gazetarit, Fatmir, Besnik dhe Fiqiri Mjeshtri shkuan për të sqaruar këtë konflikt. Fillimisht tha gazetari palët patën një diskutim që u duk sikur u sqarua, por në këtë moment, babai i vajzës Fiqiri Mjeshtri hapi zjarr në drejtim të personave në fjalë. 17-vjeçari Kenado Shira mbeti i plagosur, e në tentativë për t’u larguar, plumbave nuk i shpëtoi edhe babai i tij. Gazetari thotë se autori e qëlloi sërish 17-vjeçarin duke e lënë të vdekur. Babai i adoleshentit humbi jetën pak kohë më pas, gjatë kohës që transportohej për në spital.

Pas ngjarjes së rëndë, Fiqiri Mjeshtri i dha fund jetës në shtëpinë e tij.

Mirela Milori: Ku ndodhesh tani që po raporton dhe çfarë ndodhi mesditën e sotme në këtë qytezë?

Merin Maçi: Jemi zhvendosur pikërisht në qendër të qytezës të Klosit, aty ku vijon të jetë një vendngjarje. Lokali pas krahëve të mi ka qenë i mbyllur ditën e sotme, pavarësisht se ka shërbyer si një vend pikëtakimi mes personave të cilët janë përfshirë në këtë ngjarje të rëndë e cila ka prodhuar 2 viktima që në momentet e para dhe më pas edhe autori kryesor i dyshuar i cili ka ndërmarrë aktin e vetëvrasjes pas krimit të rëndë, Fiqiri Mjeshtri.

Duhet thënë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, në ambientet e përparme të lokalit ku ne po raportojmë dhe i cili vijon të jetë një skenë krimi. (Këtu) janë paraqitur 7 persona. Më saktë, Kenado dhe Liri Shira, dy viktimat e momenteve të para të konfliktit, Renato dhe Englantin Hasula të cilët kanë qenë prezentë në momentin që Fatmir, Besnik dhe Fiqiri Mjeshtri kanë ardhur për të sqaruar një konflikt i cili kishte nisur si pasojë e një përplasjeje dhe një mospëlqimi nga ana e 3 vëllezërve për një lidhje që një prej personave të përfshirë në këtë konflikt, pikërisht viktima, kishte me vajzën e autorit të dyshuar të ngjarjes.

Duhet thënë se kjo është edhe pista kryesore e cila është ngritur nga policia e Dibrës e cila tashmë thuajse e ka plotësisht të zbardhur të gjithë ngjarjen dhe ka vënë në pranga dhe 2 personat të cilët dyshohet se kanë ndihmuar vëllain e tyre, autorin kryesor të ngjarjes i cili vetëm pak minuta pas ekzekutimit të dyfishtë i dha fund jetës.

Momentet e para kanë qenë një diskutim për të sqaruar të gjithë konfliktin dhe kur gjithçka dukej se kishte përfunduar, autori i dyshuar Fiqiri Mjeshtri ka qëlluar në drejtim të personave që ishin prezentë dhe që ndodheshin në pjesën e jashtme të lokalit. Më konkretisht ka hapur zjarr fillimisht ndaj Kenado Shirës, 17-vjeçari i cili në momentet e para ka mbetur i lënduar dhe në tentativë për t’u larguar, autori i dyshuar ka qëlluar edhe ndaj babait të tij, Liri Shirës. Teksa është plagosur dhe 46-vjeçari i cili vetëm pak minuta më vona ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital, autori ka qëlluar sërish ndaj 17-vjeçarit duke e lënë të vdekur. Ndërkohë që të shtënat kanë përshkuar edhe dy personat e tjerë të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës në Tiranë, Eglantin dhe Renato Hasulën./tvklan.al